Salianji shpall kandidaturën për kreun e PD, Flamur Noka: Nëse shkel rregullat, nuk ke më punë në parti

Nga A2 CNN
19 Mars 2026, 21:57 | Politikë

Flamur Noka reagoi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, pasi Ervin Salianji ka shpallur kandidaturën e tij për kreun e Partisë Demokratike.

"Kur Partia Demokratike t'i hap të gjitha dyert dhe ti nuk hyn, por thua do të hyj nga dritarja se ma ka kërkuar Gysi me Suelin, këtu stop. Kaq është e gjitha, nuk mund të flas më shumë. Pasi doli nga burgu zotëria është pritur nga Sali Berisha, kryetari i partisë, është pritur disa herë. Ka ardhur te zyra ime si Sekretar i Përgjithshëm. Dhe i kam ofruar unë mbështetje për të qenë në nivelet përfaqësuese. Tha se nuk donte asgjë se nuk e lejonte ligji. Dhe kur ne i hapëm dyert, zotëria zgjodhi të hynte nga dritarja pas një darke me Gysin në Qerret", tha Noka.

“Çdo parti ka rregullat e veta. Po e shkele rregullin e një partie, ti pastaj e ke dëmtuar atë parti. Dhe një nga rregullat që ka Partia Demokratike është të mos bashkëpunosh me krimin e organizuar. Aty pastaj ti nuk ke punë më me atë parti. Ne nuk po ftojmë asnjë lidhje të krimit të organizuar në parti. Krimi i organizuar dhe interesi kombëtar, kush punon kundër interesit kombëtar nuk ka lidhje në atë parti. Këto dy pika janë vijë e kuqe”, shtoi Noka.

Sekretari i Përgjithshëm i PD deklaroi më tej: "Ne po ftojmë intelektualët, po ftojmë akademikët, po ftojmë kontributorë, aktorë të shoqërisë civile. Po ftojmë këdo që mendon se Shqipëria duhet të qeverisë ndryshe dhe të afrohet tek ne dhe të japë kontributin e tij pranë Partisë Demokratike. E sigurojmë që do ta gjejë veten brenda asaj partie. Është parti tërësisht demokratike”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos