“Sazani nuk shitet, Shqipëria do jetë aksionere”, Rama: Në Zvërnec do ndërtohet një spital i nivelit të lartë

Nga A2 CNN
11 Shtator 2026, 19:36 | Politikë

“Sazani nuk shitet, Shqipëria do jetë aksionere”, Rama:

Kryeministri Edi Rama gjatë intervistës në podkastin “Flasim shqip”, duke folur për Sazanin theksoi se ishulli nuk do të shitet dhe se Shqipëria do të jetë aksionere.

Kreu i qeverisë vuri në dukje se aktualisht vijojnë negociatat dhe se nuk ka një kontratë apo kërkesë për blerjen e ishullit.

Rama po ashtu evidenton faktin që Sazani nuk është aset i padiskutueshëm, pasi është zonë e minuar, dhe nëse realizohet projekti Shqipëria fiton një pozicion të ri ndërkombëtar.

Janë dy projekte, por janë të njëjtët investitorë. Janë dy prona të ndryshme, Sazani pronë shtetërore, Zvërneci është pronë private, dhe kanë lidhje për faktin se janë të njëjtët investitorë. Në Zvërnec po punonte kompania që sipas ligjit dhe bazuar në procedurën e dhënies së një leje paraprake, autorizimi paraprak, për monitorimet mjedisore, për të parë të gjithë komponentët që lidhen me studimin gjeologjik, hidrologjik, mjedisor, merr të drejtën e vendosjes së rrethimit dhe punimeve paraprake. Ishulli është 560 hektarë dhe diskutojmë vetëm për 8 për qind. Presim të vijë projekti për Zvërnecin, ndërkohë që për Sazanin jemi në negociata. Zvërneci është private, Sazani është shtetërore dhe do të mbetet tokë shtetërore, nuk do shitet Sazani. Të thuash 10 mijë dhoma do të thotë të kesh përpara një plan ndërtimi, s’ka plan ndërtimi”, tha Rama.  

Shitja ka një provë, dokument shitje, këtu s’ka asnjë dokument shitje. E dyta Sazani është në negociata prej vitesh. Negociojmë me palën tjetër si do të ndërtohet negocimi. Asnjëherë s’ka pasur kërkesë për blerje. Ne kemi vënë edhe një kufi tjetër, që ne do jemi partner, nuk do japim tokën edhe të themi ndërtoni, bëni çfarë të doni. Kemi këmbëngulur që Republika e Shqipërisë të jetë aksionere dhe të marrë aksione nga ndërmarrja. Sot që flasim s’ka kontratë, por vetëm negociata. Sazani s’është thesar që ka kontabilitet. Është territor i bukur, por shumë problematik, është zonë e minuar. Në Sazan s’ka ujë e drita dhe kjo s’e bën aset të padiskutueshëm. Qoftë paraardhësi im, qoftë paraardhësi i paraardhësit janë përpjekur të sjellin investitorë dhe ta kthejnë në destinacion turistik. Nëse realizojmë këtë projekt Shqipëria fiton një pozicion të ri ndërkombëtar si destinacion turistik por edhe horizont investimesh”, vijoi ai.

Rama tha ndër të tjera se në Zvërnec do të ndërtohet një spital i nivelit të lartë, duke shtuar se zona do të ketë plazhe publike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos