Pasditja e kësaj të marte, ora 17:00, shënon nisjen e sesionit të ri parlamentar, që mbart debatet e vjetra. Ndarja e re territoriale do të vazhdojë të ndajë palët, me socialistët që duan të nxitojnë me projektin e tyre për ta miratuar në kohë për zgjedhjet e ardhshme të pranverës 2027, ndërsa demokratët kërkojnë përballjen në referendum.
Seanca e parë e të martës ka një rend dite më shumë procedural, pa ligje apo vendime për të diskutuar e miratuar, por kjo nuk i shpëton deputetët nga rrethimi i protestuesve. Edhe ata kanë njoftuar rikthimin e tyre para Parlamentit, çka ka detyruar forcat e rendit të marrin masat për garantimin e sigurisë së deputetëve, të cilët në seancat e fundit u detyruan të përballen me breshëri vezësh e perimesh të hedhura në drejtim të tyre.
A2 CNN ka mësuar se rreth 1600 efektivë të Policisë do të angazhohen para dhe gjatë zhvillimit të seancës plenare, për të lejuar mbarëvajtjen e saj.
Ngjashëm me sa ndodhi në seancat e fundit, perimetri i sigurisë përsëri pritet të jetë mjaft i gjerë, për t’i mbajtur protestuesit sa më larg nga oborri i Parlamentit. Për ta, do të jenë 101 ditë protestë, ndryshe nga deputetët që kthehen të çlodhur nga pushimet verore. (A2 Televizion)