Kosova e Shqipëria janë me njëra-tjetrën në çdo rrethanë e pa asnjë kusht. Kështu u shpreh kreu i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca në seancën e përbashkët në Prishtinë, të cilën e konsideroi historike. Në fjalën e tij kryeparlamentari kosovar vlerësoi Shqipërinë për mbrojtjen e interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare, teksa foli për sulmet ndaj Kosovës dhe për raportet me Serbinë.
“Seancë historike se është e para që po ndodh në Republikën e Kosovës dhe në Prishtinë si bashkim mes kuvendit të Republikës sonë dhe Republikës së Shqipërisë. Për të dëshmuar unitetin tonë përballë sfidave politike e gjeopolitike të sigurisë që shoqërojnë rajonin e kontinentin gjatë këtij viti. Ky përbashkim përbën dëshmi se Kosova e Shqipëria janë me njëra-tjetrën në çdo rrethanë e pa asnjë kusht. Ne nuk mund të përfaqësojmë asgjë veç interesit kombëtar”.
Nga foltorja e kuvendit Konjufca përcolli masazhin se e drejta e Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit të saj nuk mund të konsiderohen cenim i fqinjësisë së mirë dhe nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë pa njohjen reciproke.
“Shqipëria ka qenë e zëshme për mbrojtjen e interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare në forumet më të rëndësishme të botës dhe që e drejta e Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit e integritetit të saj forcimit të ligjit e shtetit demokratik nuk mund të konsiderohen cenim i fqinjësisë së mirë e as përshkallëzim i raporteve me fqinjët tanë. Serbia nuk pranon statusin e fqinjit por ambiciet e saj hegjemoniste ndaj Kosovës i ka edhe në kushtetutë. Nuk mund të ketë normalizim mes Kosovës e Serbisë pa pasur njohje reciproke si dy subjekte sovrane që nuk e kontestojnë njëra tjetrën. Kjo është zgjidhja për relacionin mes Kosovës e Serbisë. Ne jemi të bindur që kjo do të ndodhë se kemi në krah Shqipërinë”.
Sikurse Shqipëria, edhe Kosova, u shpreh Konjufca, synon integrimin pavarësisht masave absurde siç i quajti ai masat ndaj Kosovës.
“Si kuvende kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer dhe jo vetëm i krerëve, por bashkëpunim konkret dhe kjo për ne ka qenë arritjet e konsiderueshme. Përfaqësojmë idealin europian të shteteve tona. Synojmë integrimin. Shqipëria ka ecur para. Atë synojmë dhe ne, pavarësisht masave absurde të BE. Kosova mbetet kampion i demokracisë në rajon dhe me këtë duhet të krenohemi të gjithë ne. Shqiptarët kanë qenë aleati i vlerave perëndimore në Ballkan”.
Për kryeparlamentarin Konjufca edhe Kosova ka ndjerë kërcënimin e drejtpërdrejt apo të tërthortë nga Rusia dhe iu referua sulmit në Banjskë e Ibër Lepenc, për të cilat fajësoi presidentin serb.
“Për dy muaj bëhen 3 vjet nga agresioni i Rusisë mbi Ukrainën dhe ne si rajon e Kosovë kemi ndjerë ndikimet e tërthorta e të drejtpërdrejta. Kosova po e mbyll edhe këtë nga elementë që synojnë destabilizimin e Kosovës me metoda terroriste e hibride. Sulmi në Ibër Lepenc nuk mund të konsiderohet ndryshe përveç se sulm terrorist nga ata që refuzojnë ta pranojnë Kosovën si realitet sovran. Ky sulm i rëndë ndaj infrastrukturës sonë kritike të furnizimit me ujë e energji vjen një vit pas sulmit të rëndë në Banjskë. Organizatori i këtij sulmi është Raidoçiç i mbështetur nga presidenti Vuçiç, i cili mbetet i pandëshkuar nga drejtësia në Serbi”.
(A2 Televizion)