VIDEO| “Serbia do të kishte ardhur deri në Drin nëse nuk do të ishte fortifikuar veriu”, deklarata e fortë e ish-presidentit Moisiu

Nga A2 CNN
13 Korrik 2025, 21:10 | Politikë

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka folur për trashëgiminë e fortifikimeve masive gjatë komunizmit, duke i quajtur ato një strategji që kishte më shumë motive politike sesa nevoja reale për t’u mbrojtur nga sulme të jashtme.

Në një intervistë në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Moisiu tha se as NATO, as Bashkimi Sovjetik nuk do ta kishin sulmuar Shqipërinë në atë kohë.

“As NATO dhe as Bashkimi Sovjetik nuk do ta kishin sulmuar kurrë Shqipërinë pavarësisht fortifikimit që bënte koha. Ajo ka qenë edhe për qëllime politike ai fortifikim tepër masiv që është bërë në komunizëm, edhe për të mbuluar boshllëqet e kohës.”

Ai theksoi nivelin e lartë të militarizimit të vendit gjatë regjimit komunist: “Ne ishim të militarizuar deri në kulm. Brenda 48 orësh, Shqipëria vinte nën armë gjysmë milioni ushtarë dhe nuk është pak. Morëm modelin e Zvicrës, të Izraelit, por problemi është se ne avionë kishim, por jo të kohës, tanket i kishim, megjithatë për rajonin ishin tamam ata. Ne nuk kishim pak, por 1200 tanke kishte ushtria shqiptare, 1500 kishte Jugosllavia që kishte të gjithë atë kufi. Këto ne tani i bëmë skrap. Nuk dua të hyj në këto gjëra se më prishet gjaku!”

Ndërkohë, Moisiu lëshoi edhe një deklaratë të fortë, duke thënë se nëse nuk do të ishte fortifikuar veriu gjatë luftës së Kosovës, Serbia do të kishte ardhur deri në Drin. “U teprua me fortifikimin, por ishte i domosdoshëm. Kur u bë lufta e Kosovës, po të mos ishte fortifikuar veriu, serbët do të kishin hyrë deri në Drin. Bota nuk do të merrej më me Kosovën”, tha Moisiu duke shtuar më tej se tashmë ushtria nxirret për të pastruar plazhet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos