“U fyeva rëndë nga bashkëpunëtorët e mi”- Veliaj ‘thumbon’ kolegët e PS në Kushtetuese: Zoti i faltë se nuk dinë ç’bëjnë

Nga A2 CNN
31 Tetor 2025, 11:36 | Politikë

“U fyeva rëndë nga bashkëpunëtorët e mi”-

Erion Veliaj ka folur ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese, ku po shqyrtohen dy kërkesat e tij, për rrëzimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij dhe për rrëzimin e dekretit të Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e pjesshme lokale.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se u ndje shumë i fyer nga bashkëpunëtorët e tij socialistë që kërkuan shkarkimin e tij nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës me pretendimin se nuk ka qenë për më shumë se 3 muaj prezent në detyrë.

Veliaj tha gjithashtu se kolegët e tij socialistë e panë me sytë e tyre atë që ai e cilësoi si rrëmbim të tijin nga zyra. Ai kërkoi më tej drejtësi, pasi shprehu bindjen se kërkesat e tij janë tërësisht në përputhje me ligjin.

“Kur beson që ke dhënë gjithçka për këtë mandate të qytetarëve, vjen arsyeja për të cilën të largojnë nga detyra. Dhe citoj ‘mosprezenca në detyrë për më shumë se tre muaj’. Nuk kishin se sit ë më fyenin më rëndë sesa kaq. Ka qenë fyerja më e rëndë e jetës time publike dhe këtë e thotë dikush që ka dëgjuar fyerje dhe legjenda urbane pa fund. Por kjo është fyerja më e rëndë sepse erdhi nga bashkëpunëtorët e mi, nga njerëz që më njohin më mirë se çdokush tjetër. Dhe që nuk denjuan as të më ftonin, as të më njoftonin dhe as të më dëgjonin. Zoti i faltë. Lutem çdo natë për ta dhe them Zot fali se nuk dinë ç’kanë bërë me atë vendim. Ata kanë qenë prezentë të rrëmbimit tim nga burgu. Djalin tim unë e kam takuar më shumë në burg sesa në liri”, tha mes të tjerash Veliaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos