Nga Elbasani, Edi Rama përsëriti edhe njëherë premtimin kryesor të fushatës së tij zgjedhore, se vota e 11 majit duhet për të çuar Shqipërinë në familjen e madhe evropiane.
“I gjithë Elbasani dhe banorët e këtij qarku të bëhen bashkë për Shqipërinë 2030 në BE. Të bëhen bashkë që të ngjitemi drejt asaj maje që e kemi misioni dhe që drejt së cilës fati e desh që të na vijë ne mundësia që me votë ti japim Shqipërisë fuqinë që i duhet për të ngjitur metrat e fundit dhe për të vendosur në atë majë flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Dhe ti japim fund historisë ku shqiptarët ndihen si të dorës së dytë në zemër të Evropës. Zoti na ka vënë këtu dhe jemi ndër të parët, kombet më të vjetra, por historia e ka dashur që gjërat të mos shkojnë lehtë. Historia e ka dashur që ky vend të kalojë male vështirësish. E megjithatë ky popull ja ku është sepse brenda nesh ka një shpirt që është shpirti evropian i shqiptarit. Shqipëria duhet të ulet në sallonin e madh të Evropës së Bashkuar”, tha Rama.
Kryeministri nuk la pa ironizuar dhe drejtuesin politik të PD në Elbasan, Tomor Alizoti, i cili zëvendësoi në këtë qark Luçiano Boçin.
“Sot në Librazhd kisha frikë se thashë mos më ha Tomori të gjallë. Shkoj atje dhe gjej lumë. Pashë gjithë frikë dhe nuk e gjeta Ludovikun. A e kupton mer Tomor se çfarë do me hëngër të gjallë. Tahmaja e madhe do të lerë pa zë. Tomor ke gjetur vendin e gabuar, forcën e gabuar për t’u ngatërruar. Mendoj Tomorin më 12, por ai nuk e mendoi kur e sollën këtu. Këtu ishte Luciano fake Pavaroti që tha na i vodhi votat elektronike. Dhe e çuan në Shkodër”, u shpreh kreu i qeverisë. (A2 Televizion)