Rama i tregon Majkos përse e caktoi në Kavajë: Bufi e hëngri kreun e PD këtu pasi nuk do njerëz të lirë

Nga A2 CNN
6 Maj 2025, 17:36 | Politikë

Rama i tregon Majkos përse e caktoi në Kavajë: Bufi e hëngri

Në Kavajë, ku mbajti dhe takimin përmbyllës për zgjedhjet e 11 majit, kryeministri Rama foli dhe për arsyet se përse e caktoi Pandeli Majkon, pikërisht në këtë zonë.

Pasi vlerësoi figurën e Majkos për kontributin që ka dhënë për Shqipërinë dhe PS, kreu i qeverisë u shpreh se mazhoranca nuk dëshiron të jetë në borxh me Kavajën dhe Rrogozhinën dhe për këtë arsye caktoi aty ish-kryeministrin dhe kryetaren e Kuvendit.

“Iu them demokratëve të Kavajës, si ka mundësi të hidhni votën në kënetë? A ua bëri qytetin? Jo. Mirë qytetin nuk e bëri, por hëngri dhe Hysenin. I them Pandit përse erdhi këtu. Ne për Kavajën dhe Rrogozhinën nuk duam që të mbetemi në asnjë borxh. I kemi sjellë Mamicën, kryetaren e Kuvendit, Ilvën, Eldin, Antonetën dhe kryeministrin e luftës së Kosovës, një figurë historike dhe protagonist i ndryshimeve demokratike dhe një urë paqeje”, tha kreu i qeverisë.

Rama nuk la pa përmendur dhe krahun rival në këtë garë zgjedhore, duke rikthyer edhe njëherë në vëmendje vendimin e Berishës për të lënë jashtë liste kreun e PD në Kavajë, ndonëse ky i fundit kishte dalë i parë në primaret e demokratëve. Sipas Ramës, Berisha nuk i do individët e lirë.

“Kreu i PD të Kavajës bëri një faj të madh, fitoi primaret në gjithë Tiranën dhe përfundoi në barkun e bufit. E hëngri bufi. Ai nuk do individë të lirë, por skllevër. Nuk do qytete të bukura bufi, por vendbanime në hije. Dy pika e kanë mbështetur symbyllur bufin, Tropoja dhe Kavaja. Janë këto dy vende që kanë pasur më pak investime në kohën e bufit.

Ku është Hysa. Nuk është në skuadër. Më kanë thënë se nuk është as në Kavajë. Ua them unë ku është. Është në barkun e bufit. Të gjithë ata që fituan në primare, që kishin një fytyrë të tyre, dhe një njerzillëk, nuk janë në skuadrën e kënetës. Se nuk po them gjelin e detit të Peqinit. Bufi nuk e duronte dot gjelin”, u shpreh kryeministri në Kavajë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos