Ankesat e partive politike për procesin e votimit nga jashtë nuk mund të cenojnë integritetin e procesit. Me këtë vlerësim, Ilirjan Celibashi doli përpara kamerave duke nënvizuar se pavarësisht problematikeve, votimi nga jashtë nuk mund të deligjitimojë rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.
“Në mënyrë kategorike, në vlerësimin tim, nuk mund të vihet në dyshim integriteti i votimit nga jashtë. Është një proces që nuk është realizuar në mënyrë perfekte, dhe jo për shkaqe që lidhen me KQZ, por është një proces që është organizuar, pa hezitim e them, shumë mirë”, tha Celibashi, shkruan A2 CNN.
Si kundërargument të ankesave të politikanëve, Celibashi tregoi se zyrtarisht në KQZ janë referuar vetëm 156 raste. Por problemet në organizimin e zgjedhjeve nuk e kanë vetëm shqiptarët jashtë vendit. Komisionerit Celibashi njoftoi se bashkëpunimi me SPAK, ka prodhuar një sërë hetimesh penale.
“115 materiale kallëzuese dhe në total janë regjistruar 35 procedime penale nga SPAK. Nga këto, 8 janë të regjistruara nga vetë SPAK”, tha Celibashi.
Krahas hetimeve nga SPAK edhe pranë prokurorisë së përgjithshme janë depozituar 32 kallëzime për krime zgjedhore. (A2 Televizion)