Belind Këlliçi, drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës, në një intervistë për A2 CNN, deklaroi se “këto zgjedhje dhe janë manipuluar si kurrë më parë”.
“Ne kemi konstatuar parregullsi të panumërta të shumta, ditën e votimit kam konstatuar zyra elektorale të padeklaruara të PS-së, kur ka pasur keqpërdorim të administratës publike, raporti i OSBE/ODIHR i ka treguar problematikat, por lavdëron SPAK-un që nuk ka bërë asgjë. Kur unë denoncova live zyrën elektorale të padeklaruar dhe nuk përgjigjej askush. Kam marrë 6 herë policinë dhe nuk vinte askush. Erdhën pas dy orësh. SPAK-u nuk ka bërë asnjë punë”, tha Këlliçi fillimisht.
“Nuk mund të thuash ka keqpërdorim të administratës, të aseteve publike dhe presion mbi votuesit, por zgjedhjet shkuan mirë. Ndërkombëtarët marrin rrogën dhe shqiptarët vazhdojnë emigrimin”, shtoi Këlliçi.
“Do të presim rezultatin final, dokumentimin dhe pastaj do të marrim një vendimmarrje politike në parti. Masakra është evidente. As më optimistët e Partisë Socialiste nuk kanë menduar që do të marrin këtë rezultat. Ky rezultat shkon përtej pritshmërive të tyre, që do të thotë se është bërë batërdi në këto zgjedhje dhe janë manipuluar si kurrë më parë. Kemi përgjegjësinë të provojmë të gjitha shkeljet dhe parregullsitë”, theksoi më tej Këlliçi.
(A2 Televizion)