Maratona katërvjeçare e Kuvendit u mbyll me një sërë aktesh të miratuara, shumë debate dhe pak dialog politik. Seancat e njëpasnjëshme të legjislaturës së fundit krijuan më shumë idenë e një arene përplasjesh sesa një salle që miraton ligje përmes debatit dhe dialogut, duke mbjellë kështu shumë konflikt e pak konstruktivitet, shkruan A2 CNN.
Në finale, pas katër vitesh bëhet bilanci se sa efiçente ka qenë kjo legjislaturë e Kuvendit, drejtuar pjesërisht nga Lindita Nikolla dhe Elisa Spiropali. Nëse i referohemi krahasimit të shifrave, rezulton se në raport me Kuvendin e Gramoz Ruçit, katërvjeçari i fundit ka qenë deficitar, pasi ka miratuar më pak akte. Konkretisht, 328 ligje përgjatë 2021–2025 kundrejt 487 ligjeve në katërvjeçarin 2017–2021, dhe sigurisht, në këto akte nuk ka ndonjë reformë madhore.
Nëse në miratimin e ligjeve kjo legjislaturë nuk shquhet për ndonjë reformë madhore, prodhimi i krizave politike nuk mbetet pas. Nga përplasjet fizike ndërmjet deputetëve deri te kordonët e Gardës së Republikës, nga flakadanët në sallë deri te djegia e karrigeve.
Mes akteve të rralla të dakordësisë politike, deputetët e shumicës dhe pakicës u mirëkuptuan për të rritur ndjeshëm pagat e tyre.
Analiza e shifrave apo e ngjarjeve natyrshëm të çon në pyetjen: çfarë të mire i solli vendit legjislatura e fundit, që xhepave të qytetarëve u kushtoi rreth 64 milionë euro? Pyetje e cila është edhe një sfidë për parlamentarët e rinj që në shtator do të veshin kostumin e ligjvënësit. (A2 Televizion)