Gazetari i nxjerr videon e shpërndarë nga Berisha, Noka kërkon falje: Nuk e kisha me A2 CNN, por me mediat e Ramës

Nga A2 CNN
13 Tetor 2025, 21:12 | Politikë

Në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN,  numri dy i Partisë Demokratike, Flamur Noka i akuzoi mediat si të kapura nga regjimi i Edi Ramës, teksa deklaronte se në asnjë emision nuk ka parë të trajtohet çështja e pensioneve të ulëta apo çmimeve të larta.

Moderatori Andrea Danglli e vendosi Sekretarin e Përgjithshëm të PD përballë fakteve, duke i treguar në transmetim të drejtpërdrejtë një postim të kryedemokratit Sali Berisha, ku shpërndante në rrjetet e tij sociale një kronikë të televizionit A2 CNN, në të cilën trajtoheshin problematikat e pensionistëve.

I gjendur përballë faktit të pakontestueshëm se lideri i opozitës kishte ripostuar kronikën në fjalë, Noka kërkoi ndjesë publike, duke thënë se po i referohej në deklaratën e tij mediave të kapura nga pushteti dhe jo televizionit A2 CNN.

"Jo Andrea jam duke folur, jo për A2 CNN, po flas për çdo media. Jo për televizionin tuaj, për të gjithë. Pra unë po flas mediat, kur them njerëz dhe s’tu drejtova ty, e kam mediat. Pse? Sepse ky është një realitet, Këllqe për të thirrur ministrat që të japin llogari për gjendjen nuk ka asnjë media, sepse çekiçi i medias u rri mbi kokë", tha Noka.

DEBATI NË STUDIO:

Noka: Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë që ti thuhet vërteta shqiptarëve. Sepse ta dish ti Andrea një pjesë të fajit për këtë terr të së vërtetës dhe realitetit në Shqipëri e kanë edhe mediat që nuk i pasqyrojnë.

Danglli: Çfarë ka mbetur nga mediat që ju keni thënë dhe s’ia kanë thënë shqiptarëve deri tani zoti Noka? Sepse gjithë që thatë ju vetëm media i ka bërë publike.

Noka: Unë nuk kam parë asnjë emision që të flasë për çështjen e pensioneve.

Danglli: Ku e ke marrë vesh ti çështjen e pensioneve se media i raporton këto gjëra?

Noka: Unë nuk kam parë asnjë emision që të flitet për çmimet. Dhe kjo është ndaj mos u merrni me opozitën. O keni këllqe, ose thoni që po ne nuk guxojmë të flasim kundër regjimit dhe hajdeni të merremi me opozitën ose hajde flasim për të vërteta që shqetësojnë shqiptarët.

Danglli: Ok pak më përpara zoti Berisha ka publikuar një video të A2 CNN për pensionet. Më 1 tetor, postim i bërë nga zoti Berisha është ky. Pra zoti Berisha ka shpërndarë një kronikë të A2 CNN. Ja për pensionet flitet, të paktën në këtë rast t’i kërkojmë ndjesë publikut.

Noka: Jo Andrea jam duke folur, jo për A2 CNN, po flas për çdo media. Jo për televizionin tuaj, për të gjithë. Pra unë po flas mediat, kur them njerëz dhe s’tu drejtova ty, e kam mediat. Pse? Sepse ky është një realitet, Këllqe për të thirrur ministrat që të japin llogari për gjendjen nuk ka asnjë media, sepse çekiçi i medias u rri mbi kokë.

Danglli: Zoti Berisha e ka shpërndarë pak më herët. Lideri i opozitës ka shpërndarë një denoncim të A2 CNN.

Noka: Ore Tirana është në kolaps por për mediat e regjimit e ka fajin opozita. S’ka faj ai.

Danglli: Po atëherë si ka mundësi zoti Berisha ka shpërndarë një material të mediave të regjimit, kur edhe mua personalisht më ka shpërndarë një sërë materialesh.

Noka: Tani unë këtë po ju them. Ky është realiteti.

Danglli: Realiteti është që duhet të shini më shumë televizor zoti Noka sepse i kanë bërë kolegët. Po i bini në qafë.

Noka: Ktheni sytë, jo vetëm ju, të gjitha mediat ktheni sytë nga realiteti sepse jeni duke i shërbyer regjimit, duke fshehur të vërtetën dhe prandaj është kjo gjendje këtu.

Danglli: Zoti Berisha mendoka ndryshe sepse e paska shpërndarë videon dhe personalisht mua më ka shpërndarë disa video.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos