Ish-zv/kryeministri i Kosovës, Haki Abazi, tashmë i larguar nga Vetëvendosje e ka akuzuar ish-partinë e tij se me fondet publike ka intervenuar në zgjedhjet lokale duke orientuar votën e qytetarëve.
Ai zbuloi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN se këngëtarja e njohur Adelina Ismaili ka marrë mijëra euro nga ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili garon në zgjedhje si kandidat i Vetëvendosjes në Prishtinë.
“Politika është në nivelin e manipulimit dhe orientimit të votës. Përndryshe Çeku ka qenë ministër në qeverinë Kurti, është nga Prizreni gjithë jetën e tij dhe është paraqitur si kandidat për kryetar në Prishtinë për idenë e kapitalizimit të orkestrimit dhe formës së shpenzimit të buxhetit të Ministrisë së Kulturës pa kontroll. Për shembull kemi një paraqitje të një këngëtareje me famë këtu si Adelina Ismaili, e cila në natën e fundit parazgjedhore meqë kishte marrë subvencione të jashtëzakonshme nga Ministria e Kulturës bën ndikimin e saj tek njerëzit për votën ndaj ish-ministrit të Kulturës si kandidat. Këtu nuk e them që është jashtë rregullave të lojës por e kuptoni që nuk ka lidhje te votuesit me programin dhe cilësinë e kandidatit”, tha Haki Abazi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.
I vendosur përballë faktit se këto tendenca me këngëtarët, aktorët dhe influencerët që përqafojnë një parti politike, janë të njohura edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Abazi tha se buxheti i Kosovës nuk krahasohet dot me të Amerikës dhe se nuk donte të cenonte integritetin e personaliteteve publike me këtë deklaratë.
“Nuk nënshtrohet askush atje në kuptimin e fushatës elektorale për shkak se merr tendera ku e di unë një i afërt i familjes aty”, tha më tej ai. (A2 Televizion)