Sali Berisha, në konferencën “The Western Balkans Paradigm”, deklaroi se Shqipëria "është bërë një prodhues emigrantësh dhe refugjatësh".
"Shqipëria nisi negociatat e aderimit dhe mund t’u siguroj se nisi negociatat në një kohë kur nuk plotësonte asnjë kriter përveçse gjeopolitikës. Kushdo që dëshiron të ulet, ne jemi gati t’u ofrojmë të dhënat evropiane dhe statistikat që mbështesin këtë që them. Shqipëria i nisi negociatat kur të gjitha pushtetet, 94 përqind përqendrohen në një dorë. Këtu mund të shikoni se ky është viti 2020, është diktatori i fundit dhe tani kjo kolonë është më e lartë. Tani, kryeministri i Shqipërisë për habinë tuaj, që atëherë është bërë kryetar i Këshillit Kombëtar të Shkencës, është bërë kryetar i Komitetit Kombëtar të Ujërave, që atëherë, kryeministri shqiptar ka ndryshuar ligje dhe çdo ndërtesë e vetme, edhe ato njëkatëshe, duhet të nënshkruhen prej tij në mënyrë që të ekzistojnë, duke shkelur çdo parim ndërkombëtar sepse ne jemi anëtarë të Këshillit të Europës dhe ka një autonomi lokale, ka një autonomi rajonale. Por ky është realiteti këtu", tha kreu i Partisë Demokratike, shkruan A2.
"Së dyti, kur ne nisëm negociatat, ekonomia shqiptare u zëvendësua nga narko-ekonomia. Kush do të shohë se çfarë do të thotë narko-ekonomi, nuk ka pse të shkojë në Bolivi apo në vendet e tjera, mjafton të vijë në Shqipëri sepse është narko-shteti i parë dhe i vetëm në Europë. Pse është narko-ekonomi? Më lejoni të jap disa të dhëna. Njëherë, nga fluksi narko-ekonomik, euro u zhvlerësua me 98 përqind. Në qoftë se shikoni ekonominë tonë, çdo gjashtë muaj sipas statistikave produkti industrial bie gjithnjë e më shumë, kështu eksportet dhe prodhimi agroindustrial. Por vendi vazhdon të rritet prej 3-4 përqind. Kjo rritje vjen nga ndërtimet. Sipas Eurostat, vendi ka indeksin më të lartë të ndërtimeve në Europë. Në Shqipëri, mesatarja është tre herë më e lartë se indeksi evropian. Ndërtimi hap vende pune, patjetër, por eksportet hapin më shumë. Prodhimi edhe më shumë. Prodhimi bujqësor edhe më shumë. Megjithatë ato po pësojnë rënie. Çfarë po ndodh? Shqiptarët po ikin nga territori. Nga viti 2014 deri në vitin 2024, përsëri sipas Eurostat, 1 milion e 99 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria vetëm në zonën Shengen, pa llogaritur këtu ata të cilët janë larguar për në SHBA, Britani, Zvicër, Kanada, Australi apo Lindjen e Mesme. Vendi është bërë një prodhues emigrantësh dhe refugjatësh", shtoi Sali Berisha. (A2 Televizion)