Integrimi në Bashkimin Evropian është procesi më thelbësor për kombin dhe ylli polar i programit të Partisë Demokratike. Këtë pohoi Sali Berisha, në konferencën “Paradigma e Ballkanit Perëndimor”, ku përveç falenderimeve për aleatët e opozitës në kancelaritë evropiane pati edhe kritika për zyrtarët e Bashkimit Evropian.
“Në rast se ju i jepni përparësi stabilokracisë në krahasim me standardet, apo aderimit për qëllime stabiliteti, kjo do të thotë që i jep rrugën dhe je në aleancë me autokracinë. Unë mendoj se asnjë vend i lirë i BE do ta donte këtë rezultat. Kushdo që ka ndonjë dyshim, le të vijë në Shqipëri dhe ta studiojë kazusin. Shqipëria është një kazus tipik. I ka dhënë prioritet stabilokracisë krahasuar me standardet dhe kjo u transformua në një shtet autokratik”, tha Berisha, shkruan A2 CNN.
Vetëm gjeopolitika është kriteri që bashkon Shqipërinë me Bashkimin Evropian, pohon Berisha, pasi sipas tij vendi ynë është kthyer në një narkoshtet dhe kryeministri ka në dorë të gjitha pushtetet.
“Kryeministri i Shqipërisë për habinë tuaj, që atëherë është bërë kryetar i Këshillit Kombëtar të Shkencës, është bërë kryetar i Komitetit Kombëtar të Ujërave, që atëherë, kryeministri shqiptar ka ndryshuar ligje dhe çdo ndërtesë e vetme, edhe ato njëkatëshe, duhet të nënshkruhen prej tij në mënyrë që të ekzistojnë, duke shkelur çdo parim ndërkombëtar sepse ne jemi anëtarë të Këshillit të Europës dhe ka një autonomi lokale, ka një autonomi rajonale. Por ky është realiteti këtu”, tha kreu i PD.
Aspektet e asaj që ai quan narkoshtet i sheh edhe në ekonominë e vendit. “Pse është narko-ekonomi? Në qoftë se shikoni ekonominë tonë, çdo gjashtë muaj sipas statistikave produkti industrial bie gjithnjë e më shumë, kështu eksportet dhe prodhimi agroindustrial. Por vendi vazhdon të rritet prej 3-4 përqind. Kjo rritje vjen nga ndërtimet”.
Të ardhmen e parashikon të zymtë, pasi pohon se krimi do të marrë revansh kundër shtetit. “Në delegacionin e radhës në BE, në qoftë se këto kartele vendosin që përfaqësuesit e tyre të jenë pjesë e delegacioneve në Këshillin e Stabilizimit, në Këshillin e Europës dhe në agjencitë e tjera. Pse? Sepse ato kanë qenë shumë aktivë gjatë zgjedhjeve. Kandidatët e tyre kanë marrë shumicën e votave”.
Konferenca “Paradigma e Ballkanit Perëndimor” u organizua nga Fondacioni i Partive Popullore Europiane dhe Fondacioni për Liri dhe Demokraci i Partisë Demokratike, ku morën pjesë dhe zyrtarë të PPE. (A2 Televizion)