"Priten provokime nga Serbia", paralajmërimi i fortë i Robellit: Ja sfida e madhe që e pret Kosovën këto kohë

Nga A2 CNN
13 Tetor 2025, 21:52 | Politikë

Gazetari Enver Robelli, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, nuk përjashtoi “mundësinë që të ketë edhe provokime me sjellje të ndryshme nacionaliste, sidomos në veri të Kosovës, që kjo të nxisë pastaj ndonjë reagim të papjekur nga pala kosovare”.

“Qytetarët e Kosovës i dërgojnë mesazh politikanëve që duhet të jenë të gatshëm dhe të aftë për kompromise. Domethënë, qytetari për herë të dytë, pasi edhe në zgjedhjet e kaluara deri diku e ndëshkoi lëvizjen Vetëvendosje, edhe tani po dërgon një mesazh që partitë politike duhet që për interesin publik të Kosovës të jenë të gatshme dhe të afta për kompromise politike. Sepse po nuk ekzistoi gatshmëria për kompromis politik, atëherë rreziku i vazhdimit të agonisë politike është shumë i madh. Në këtë kuptim unë mendoj që votuesi i Kosovës shpeshherë është më i pjekur se politikanët e saj”, tha fillimisht Robelli.

“Një çështje tjetër që është mjaft interesante, është që ne duhet të shohim tani se si do të zhvillohet politika dhe si do të jenë reagimet e kryetarëve të rinj serbë, sidomos në veri të Kosovës. Do të shohim se si do të reagojnë ata, a do të përpiqen të vazhdojnë provokimet, të sillen si instrumente të Beogradit edhe në të ardhmen, apo do të përpiqen të punojnë për të mirën e qytetarëve të tyre dhe për të mirën e komunitetit. Kjo do të jetë një sfidë shumë e madhe në të ardhmen sepse nuk përjashtoj mundësinë që të ketë edhe provokime dhe të ketë tentime që të provokohet me sjellje të ndryshme nacionaliste, sidomos në veri të Kosovës, në kuptim që kjo të nxisë pastaj ndonjë reagim të papjekur nga pala kosovare”, theksoi gazetari Enver Robelli.

Sipas tij, “kjo është njëra ndër sfidat e ardhshme që e pret Kosovën”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos