“S’ka bir nëne a bir k…”, Rama: Ajo fjali qëndron 100% e paprekshme në përmbajtjen e saj edhe sot

Nga A2 CNN
16 Qershor 2026, 10:24 | Politikë

“S’ka bir nëne a bir k…”, Rama: Ajo fjali

Kryeministri Edi Rama reagoi në platformën “X” mbi një video të shpërndarë ku akuzohet, sipas tij, se po pi ujë “në Basel të Zvicrës me shpenzimet e shtetit”.

Rama thekson se “në thuajse tre dekada shërbim publik unë kurrë nuk kam udhëtuar privatisht me lekët e shtetit dhe e njëjta gjë vlen edhe për familjen time”.

“Rreth njëzetë vite më parë, kur nuk më ishte regjur ende lëkura me baltën e shpifjeve e të akuzave pa hesap, pata vënë kujën publikisht duke thënë që “s’ka bir nëne a bir k…, që të gjejë në xhepin tim një qindarkë që s’është fituar me punë të ndershme”! Sot, dy dekada më vonë, nuk jam më natyrisht ai 40 vjeçari i pamësuar ende me qenërinë e arenës plot baltë të jetës politike, i cili humbte gjumin nga plagët përvëluese të shpifjeve dhe akuzave kriminale. Por e them me krenari, se ajo fjali e lëshuar asokohe nga dhimbja e nga ndjenja e turpit përpara njerëzve të mi dhe të gjithë atyre që më kishin besuar drejtimin e Tiranës, qëndron 100% e paprekshme në përmbajtjen e saj edhe sot, përballë të gjithë atyre që më kanë besuar drejtimin e Shqipërisë”, lexohet në postimin e Ramës, shkruan A2.

Postimi i plotë:

Qenka shpërndarë një video ku dikush më paska kapur mat duke pirë ujë në Basel të Zvicrës me shpenzimet e shtetit. Në thuajse tre dekada shërbim publik unë kurrë nuk kam udhëtuar privatisht me lekët e shtetit dhe e njëjta gjë vlen edhe për familjen time. Në 13 vjet në detyrën e kryeministrit unë dhe familja ime kurrë nuk kemi shkuar me pushime jashtë shtetit. Në Zvicër isha i ftuar privatisht nga ArtBasel, panairi i përvitshëm i galerive më prestigjoze të artit në botë, ku janë prezantuar edhe vepra të miat. Kemi udhëtuar dhe qëndruar një ditë e gjysëm me bashkëshorten, si gjithnjë në këto raste plotësisht me shpenzimet tona. Por ky është një rast i mirë në kohën e duhur, për të vënë një pikë të qartë mbi “i”: Rreth njëzetë vite më parë, kur nuk më ishte regjur ende lëkura me baltën e shpifjeve e të akuzave pa hesap, pata vënë kujën publikisht duke thënë që “s’ka bir nëne a bir k…, që të gjejë në xhepin tim një qindarkë që s’është fituar me punë të ndershme”! Sot, dy dekada më vonë, nuk jam më natyrisht ai 40 vjeçari i pamësuar ende me qenërinë e arenës plot baltë të jetës politike, i cili humbte gjumin nga plagët përvëluese të shpifjeve dhe akuzave kriminale. Por e them me krenari, se ajo fjali e lëshuar asokohe nga dhimbja e nga ndjenja e turpit përpara njerëzve të mi dhe të gjithë atyre që më kishin besuar drejtimin e Tiranës, qëndron 100% e paprekshme në përmbajtjen e saj edhe sot, përballë të gjithë atyre që më kanë besuar drejtimin e Shqipërisë. Dhe mos e harroni asnjëherë: Kush shpif apo akuzon pa prova kundër jush, ose e ka bërë vetë atë për të cilën ju akuzon ose do ta bënte po të ishte në vendin tuaj, prandaj edhe gjelozia apo urrejtja ose të dyja bashkë e bëjnë t’i besojë çdo maskarallëku që nxjerr nga goja. Kur shoh se si bota ku jetojmë është bërë gjithnjë e më shumë falë rrjeteve sociale, lëndina ku ferrat e pafundme të rrenës shumohen me shpejtësinë e klikimit, ndërsa lulet e së vërtetës mbyten rëndom nga ferrat, më shkon gjithnjë mendja tek Librat e Shenjtë, ku shpifësi shfaqet edhe më i keq se vrasësi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos