Seanca e së mërkurës në Komisionin e Shëndetësisë është shoqëruar me debate të ashpra.
Deputetja Albana Vokshi, ndërkohë që po bënte pyetje për ministren Albana Koçiu, është përplasur me kolegët e saj të mazhorancës.
“Onkologjiku është vetëm maja e ajsbergut. Ju mashtroni duke thënë se nuk ka mungesë të jodit, por ka 6 muaj që mungon. Si nuk e pranoni ju këtë? A mendoni për ato nëna që çojnë fëmijët aty dhe nuk kanë barna? A keni të paktën ndërgjegjen e nënës? Ka skandale që akoma nuk kanë dalë. Çfarë bëhet me pacientët që nuk kanë mundësi të bëjnë terapinë përkatëse nga mungesa e jodit? Ministrja duhet të kishte dhënë dorëheqjen, nuk duhet të ishte këtu fare”, deklaroi Vokshi, mes apeleve nga deputetët e mazhorancës që të mos përhapë panik.
“Është e patolerueshme që fëmija të ketë nevojë për medikamente për leuçeminë dhe shteti mos ia sigurojë. A ka barbari më të madhe?”, shtoi deputetja demokrate.
Më tej, Albana Vokshi deklaroi edhe se është ndërhyrë në sistem për të ndërruar datat e skadencës së ilaçeve të ndryshme.
“Nëse ndërhyni në sistem për të ndërruar datat e skadencës, ky është skandal. Kushdo që e ka urdhëruar këtë, sepse unë kam informacion që këtë e ka bërë ish-drejtoresha Albana Fico, duhet të mbajë përgjegjësi”, theksoi Vokshi. (A2 Televizion)