Nëntë vite pas miratimit të reformës në drejtësi, arkitektë të saj, miratues, por edhe aktorë kyç të institucioneve të drejtësisë e përfaqësues të Komisionit të Venecias, shoshitën në një tryezë ecurinë e saj.
Duke vënë theksin tek vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve, palët u ndanë te vlerësimet, por u bashkuan tek ekzistenca e problematikëve. Për të etiketuarin si babain e reformës, Fatmir Xhafaj, ajo ia ka dalë të vetërregullojë dhe vetëpastrojë sistemin e drejtësisë dhe se është naivitet të mendohet se zbatimi i saj do ndodhte pa probleme.
“Ka probleme që lidhen kryesisht nga kompleksiteti i vetë reformës dhe institucioneve të saj. Nga ecja me shpejtësitë ndryshme brenda saj, për shkak edhe të vonesave të krijuara nga keqzbatimi, apo edhe nga përpjekjet për ndikime të brendshme, apo të jashtëm nga protagonizmi apo konkurrenca e panevojshme institucionale”, tha Xhafaj.
Sipas kreut të Gjykatës së Lartë, një klimë e vazhdueshme mosbesimi dhe keqkuptimi, për shkak të paragjykimeve nga jashtë sistemit të drejtësisë e ka vështirësuar, por jo zhbërë reformën.
“Pavarësisht sfidave dhe pengesave, thelbi i saj mbetet i pandryshuar, sepse reforma nuk ka dështuar. Ajo është ngadalësuar nga mungesa e vullnetit për ta zbatuar me të njëjtin idealizëm dhe integritet, me të cilin u ndërtua”, u shpreh Sadushi.
Para përfaqësuesve të Komisionit të Venecias në tryezë, demokrati Gent Strazimiri theksoi asnjë prej rekomandimet e tyre para miratimit të reformës nuk u zbatua nga mazhoranca qeverisëse.
“Dhe për pasojë, asnjë prej paralajmërimeve që na dhatë nuk shërbeu për të parandaluar kolapsin, konfuzionin, vakumin dhe ineficencën e sistemit të drejtësisë dhe më keq akoma për ta shpëtuar atë si nga koorporatizmi i brendshëm, si nga kapja politike”, deklaroi Strazimiri.
Ndërsa kolegu i tij partiak, ish-gjyqtari Gjin Gjoni, u përplas me drejtuesin e tryezës, ish-ministrin Ulsi Manja, që mbylli takimin, pa i dhënë atij mundësinë e një diskutimi.
Diskutim që e ndau më pas vetëm me gazetarët.
“Është një veting që ka qenë ekstra procedurial. Vetingu përbëhej nga tre lista, lista e zezë, lista gri dhe lista e gjelbër. Lista të hartuara në tunelet e PS”, deklaroi Gjin Gjoni.
Tryeza e së martës u mbajt në kuadër të 30-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës dhe 35-vjetorin e krijimit të Komisionit të Venecias. (A2 Televizion)