Sali Berisha përsëriti qëndrimin e tij për të respektuar çdo lloj vendimi të Kuvendit, pas kërkesës së SPAK për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj tij nga “Detyrim Paraqitje” në “Arrest Shtëpie” ose “Arrest në burg”. Në një deklaratë nga kryesia e Kuvendit, ai tha se kushtetutshmëria kërkon që parlamenti të ndryshojë ligjin, kushtetutën dhe të vendosë të mos ketë mbrojtje për deputetët
“Në 2012 jam angazhuar në një nismë së bashku me qeverinë dhe mazhorancën e kohës për abrogimin e nenit të kushtetutës që i jep imunitet ndaj veprimeve të gjyqësorit për deputetët nuk kam ndryshuar asnjëherë mendim se ajo përpjekje e imja ka qenë e drejtë. Në këtë kontekst vendimi i parlamenti do të zbatohet nga unë. Kushtetutshmëria kërkon që parlamenti të ndryshojë ligjin, kushtetutën dhe të vendosë të mos ketë mbrojtje për deputetët, por cilido që të jetë vendimi i parlamentit unë e pranoj”.
Pavarësisht kësaj, Berisha theksoi se nuk do të ketë asnjë ndryshim në strategjinë e opozitës të mosbindjes civile në parlament.
“Asnjë ndryshim në strategjinë tonë të mosbindjes civile në parlament nuk do të ketë për shkak të kësaj çështjeje, grupi është plotësisht dakord me qëndrimet e paraqitura nga unë. Opozita prej 6 javësh nuk voton më në parlament.”
Ai tha se ende nuk ka marrë në dorë vendimin zyrtar.
“Do të lexoj së pari vendimin zyrtar. Jam i sigurt që kryesia e parlamentit do të më dorëzojë mua vendimin. Qëndrimi im është ky; baza e këtij vendimi është heqja e çdo lloj imuniteti për deputetët. Do të zbatoj vendimin e kuvendin që askush të mos i marrë pushtetin parlamentit”.
(A2 Televizion)