Këshilli i Mandateve do ta shqyrtojë kërkesën e SPAK për dhëninen e autorizimit nga ana e Kuvendit për arrestimin e Sali Berishës më 18 dhjetor.
Seanca do të mbahet në orën 12.00 në Kryesinë e Kuvendit.
Kujtojmë se ditën e sotme, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion ka kërkuar nga Kuvendi, autorizim për arrestimin e Sali Berishës për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Hapat që ndiqen deri në vendimin final nga Kuvendi
Në pikën 1 të nenit 118 të ndryshuar, saktësohet se Prokuroria kërkon nga Kuvendi autorizim për caktimin e masës së sigurimit të arrestit me burg ose në shtëpi, heqjes se lirisë në çfarëdo lloj forme, kontrollit personal ose të banesës të deputetit me një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me prova. Pra SPAK duhet të bindë Kuvendin se ka prova që Sali Berisha ka kryer “korrupsion pasiv”, vepra penale për të cilën akuzohet.
Më pas, Kuvendi cakton mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet si edhe do duhet të vë në dijeni Sali Berishën. Edhe pse ky i fundit e ka marrë lajmin nga mediat, Kuvendi si Institucion e ka për detyrë që t’ia dorëzojë shkresën zyrtarisht.
Në mbledhjen e Këshillit, Berisha mund të jetë i pranishëm vetë në seancë për t’u mbrojtur, e ndërsa nëse refuzon të jetë personalisht, atëherë ka të drejtën që të paraqesë shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes me shkrim ose të përfaqësohet me mbrojtës ligjor.
Pas shqyrtim, brenda 2 javëve Këshilli do duhet që të paraqesë një raport ku përmblidhen pretendimet e palëve dhe në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi ndaj Sali Berishës, në rastin konkret. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.
Në seancë plenare, e cila nuk është caktuar ende, do i jepet fjala të parit Sali Berishës, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Duhet thënë se Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi.
Në fund, Kuvendi vendos me votim të hapur për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi ndaj ish-kryeministrit.
Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar. (A2 Televizion)