Analisti Afrim Krasniqi është shprehur se kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka hyrë në historinë parlamentare të Europës, pasi përjashtoi 60 deputetë në një seancë të vetme plenare.
Komentet Krasniqi i bëri në emisionin ‘Debat’ me gazetaren Alba Alishani në A2 CNN, ku tha se është tejet absurde që të përjashtohen nga seanca plenare 60 deputetë të opozitës njëkohësisht.
Krasniqi tha gjithashtu se do të ishte më produktive edhe për vetë Spiropalin që të kishte një përgjegjësi ekzekutive, sesa të luajë një rol që sipas tij nuk e luan dot.
“Nuk është negative, është pozitive. Unë mendoj që zonja Spiropali do ishte shumë më produktive edhe për veten e vetë, sikur të kishte një përgjegjësi ekzekutive, sesa të pretendojë të luajë një rol që nuk e luan dot dhe e provoi një vit që nuk e luante dot.
Nuk arrinte dot të bëhej përfaqësuese edhe... minimumi të arrinte standardin e zonjës Nikolla që nuk e ngrinte zërin kurrë. Spiropali mirë apo keq ka hyrë në historinë e këtij Parlamenti, është rasti i parë në historinë e Europës kur në një seancë plenare janë përjashtuar 60 deputetë.
Nuk ka ndodhur ndonjëherë. Po kjo lidhet me standardet e etikës, sepse Gjykata Kushtetuese e quajti anti-kushtetuese edhe praktikën që çoi aty. Kështu që praktikisht janë të gjitha bashkë, por nuk ka sens, nuk përjashtohen 60 vetë. Është absurde në çdo koncept”, tha mes të tjerash Krasniqi, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)