Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë pasdite deputetët e zgjedhur nga 11 maji për qarkun e Tiranës dhe drejtuesit e Bashkisë së kryeqytetit, raporton A2 CNN.
Takimi po zhvillohet në ambientet e një hoteli në Tiranë, ndërsa disa deputetë nuk kanë arritur dot të jenë të pranishëm, pasi janë ende në Parlament.
Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura bëjnë me dije se Rama u ka kërkuar deputetëve dhe drejtuesve të bashkisë që të dalin në terren, të takojnë qytetarët për zgjedhje.
Mësohet se Rama u ka thënë të pranishmëve që nuk dihet nëse do të ketë zgjedhje për Tiranën, ndërsa nuk ka shprehur pakënaqësi për situatën në këtë qark.
Paraditen e të enjtes, Rama zhvilloi një takim të ngjashëm në Vlorë. Me një bllok në dorë, kreu i qeverisë kaloi pragun e bashkisë ku zhvilloi një mbledhje gati 90 minuta me kryetarin Ermal Dredha dhe të gjithë drejtuesit e bashkisë.
Burime për A2 CNN, bëjnë me dije se në mbledhjen me dyer të mbyllura, tonet kanë qenë të larta dhe Rama ka fshikulluar Ermal Dredhën, duke e kritikuar për punën në kryer të këtij institucioni.
Nga menaxhimi i sezonit turistik, mungesa e ujit të pijshëm dhe problematika e tjera të shfaqura nga qytetarët e Vlorës kanë qenë pjesë e kritikave të Ramës drejtuar kryebashkiakut.
Ndryshe nga drejtorët e Vlorës, Rama në Tiranë vlerësoi Elona Lalaj, drejtoreshën e Policisë bashkiake. Sipas kryeministrit, kanë rënë ankesat në mënyrë drastike për Policinë Bashkiake.
Nesër në orën 9:00 në PS, Rama do të ketë takim me të gjithë listën e kandidatëve të Tiranës për të ndarë zonat ku do të shpërndahen, shkruan A2 CNN.
Kur kishte marrë shembullin e Vlorës, Rama ju kishte treguar historinë e një ish-drejtori të legalizimeve, i cili kishte legaliziar trotuarin për familjen e vet dhe tani punonte si këshilltar për hapësirat publike në Bashkinë e Vlorës.
Rama mësohet të ketë thënë gjatë fjalës së tij: “Tirana është një trup me zorrët jashtë”, raporton A2 CNN. (A2 Televizion)