Ministri i Financave paraqet në Kuvend ndryshimet në buxhetin 2025, ja çfarë parashikohet

Nga A2 CNN
3 Korrik 2025, 17:41 | Politikë

Ministri i Financave paraqet në Kuvend ndryshimet në buxhetin 2025, ja

Ministri i Financave, Petrit Malaj paraqiti sot në Kuvend ndryshimet në buxhetin e vitit 2025.

Sipas tij, ky akt synon të sigurojë efikasitet në përdorimin e fondeve publike, pa ndryshuar treguesit makrofiskalë kryesorë.

“Rishikimi i buxhetit parashikon rialokime të brendshme prej rreth 11,8 miliardë lekë, duke mbështetur kapacitete shtetërore për sigurinë kibernetike, projekte infrastrukturore dhe investime në sport, drejtësi dhe shëndetësi”, deklaroi Malaj, shkruan A2 CNN.

Njëkohësisht, bëri të ditur ai, miratohet një skemë e re Garancie Sovrane për sektorin e bujqësisë, në vlerë 3 miliardë lekë, që do të lehtësojë aksesin në kredi me kushte të favorshme për fermerët dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Të ardhurat për periudhën janar-maj 2025 arritën në 305,92 miliardë lekë, 6,5% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024, ndërsa shpenzimet totale ishin 267,1 miliardë lekë, 12,8% më të larta se në 2024. Suficiti buxhetor ishte 39.1 miliardë lekë, 22,4% më i ulët se vjet.

Malaj tha se parashikohet një rritje ekonomike prej 3,9% për vitin 2025, e mbështetur nga konsumi familjar, investimet dhe performanca e turizmit, shkruan A2 CNN.

Programi i investimeve publike, tha ai, synon të përmirësojë infrastrukturën dhe konkurrueshmërinë, me fokus energjinë e rinovueshme, turizmin dhe teknologjinë.

Ky akt, deklaroi Malaj, ruan qëndrueshmërinë fiskale dhe konsolidon bazat për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos