Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, ka reaguar në rrjetet sociale pas debatit të zhvilluar dje në Parlamentin Europian mbi raportin për Shqipërinë.
Në një video-mesazh, Tabaku thekson se ndonëse qytetarët shqiptarë sillen çdo ditë si europianë – në punë, në përpjekje dhe në sakrifica – pengesa kryesore për integrimin europian të Shqipërisë mbetet qeverisja aktuale.
“Ashtu siç e thekson edhe raporti i Parlamentit Europian, Shqipëria përbën një sfidë të jashtëzakonshme për demokracinë, për institucionet, për zgjedhjet e lira dhe për shtetin e së drejtës,” – u shpreh Tabaku.
Ajo vuri në dukje problematikat që përmenden në raport: presioni mbi administratën publike, blerja dhe intimidimi i votës, përdorimi i burimeve shtetërore në funksion të fushatave elektorale. Sipas saj, këto janë sfida që Shqipëria e vitit 2025 nuk duhet t’i kishte, por fatkeqësisht i ka ende.
Një tjetër alarm ngritur nga Tabaku është për korrupsionin, të cilin ajo e cilësoi si një pengesë të përditshme për qytetarët, nga shëndetësia deri te prona. “80% e shqiptarëve besojnë se korrupsioni i dëmton drejtpërdrejt në jetën e tyre,” theksoi ajo, shkruan A2 CNN.
Në mesazhin e saj, Tabaku kërkoi një qasje të re, gjithëpërfshirëse, me reforma reale që ndihen në ekonomi, në shtet, dhe në funksionimin e institucioneve. Ajo kritikoi faktin që, edhe pas 35 viteve, vendi nuk arrin të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme pa ndërhyrje të partisë në pushtet.
“Europa na sheh ndryshe,” – tha Tabaku, – “por fatkeqësisht, qeverisja vijon ende të na shohë me lupën e 35 viteve më parë.”
Fjala e Tabakut:
Shqiptarët çdo ditë sillen si europianë – në punë, në përpjekje, në sakrifica. Në çdo aktivitet që kryejnë për familjen e tyre dhe në sjelljen ndaj shtetit.
Fatkeqësisht, pengesa kryesore për integrimin europian vazhdon të mbetet qeverisja. Pengesa kryesore e Shqipërisë është mazhoranca aktuale. Ashtu siç përmendet në raportin e Parlamentit Europian, i cili u diskutua dje dhe po votohet sot – Shqipëria është një sfidë jashtëzakonshme për demokracinë dhe institucionet.
Nga zgjedhjet me probleme, presioni mbi administratën, blerja e votës, intimidimi i votuesve dhe përdorimi i shtetit në funksion të fushatës – janë të gjitha fenomene që nuk duhet të ekzistonin në Shqipërinë e vitit 2025, por ekzistojnë.
Nga ana tjetër, një tjetër pengesë madhore është korrupsioni. 80% e shqiptarëve besojnë se korrupsioni e pengon jetën e tyre, kryesisht në shëndetësi, polici, arsim, pronë, hipotekë dhe biznes.
Shqipëria ka nevojë për një qasje krejtësisht të re. Për një përfshirje të gjerë. Për reforma që ndihen në ekonomi. Një ekonomi që prodhon për të gjithë, jo për pak njerëz.
Reformat duhen të fillojnë nga biznesi dhe të shkojnë deri tek demokracia – me institucione që balancohen, me një parlament që ka rol, dhe akoma më thelbësore – me zgjedhje që respektojnë standardet.
Sot, 35 vite pas rënies së diktaturës, Shqipëria ende nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje të lira. Ende përdoret partia-shtet në çdo qelizë për të ndikuar e për të manipuluar rezultatin.
Këto janë çështjet kryesore që ngriti raporti i Parlamentit Europian. Këto janë sfidat që ka Shqipëria sot. Dhe kjo është rruga që duhet ndjekur: reforma të thella, gjithëpërfshirëse dhe një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si funksionon shteti.
Europa na sheh ndryshe. Ndërkohë që qeverisja vijon të na shohë me lupën e 35 viteve më parë. (A2 Televizion)