Pas 285 ditësh, Ervin Salianji la burgun e Fierit. Gjykata e këtij qyteti vendosi të japë lirinë me kusht për ish-deputetin e Partisë Demokratike, i cili kishte kryer 2/3 e dënimit.
Jashtë dyerve të burgut, Ervin Salianjin e prisnin dhjetëra mbështetës të tij dhe përfaqësues të Partisë Demokratike, shkruan A2.
“Më shumë se 9 muaj, gati 10 muaj burg në burgun e Fierit për arsye politike”, tha Salianji.
Para se të nisej drejt selisë blu në Tiranë, Salianji bëri një ndalesë të shkurtër në Fier, qytetin ku partia e tij mori një humbje të thellë: “Që tani do shkoj të falënderoj një zonë zgjedhore në një fshat të Fierit, ku ka fituar PD. Te ata që me rezistencë, burrëri, besnikëri, ia dalin të fitojnë”.
Jo vetëm dënimin, por edhe vonimin e lirimit me kusht nga Gjykata e Fierit të Ervin Salianjit, Sali Berisha e cilësoi politik, pas të cilit tha se fshihet dyshja Edi Rama-Fatmir Xhafaj: “Vendimi i sotëm i gjykatës u shty po me urdhër të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës mbi 6 javë në një akt të turpshëm dhe hakmarrës pa fund”.
Pak orë pasi la qelinë, Ervin Salianji mbërriti në selinë e Partisë Demokratike, vendin nga ku 27 shtatorin e vitit të shkuar nisi rrugëtimin drejt burgut të Fierit. Me zyrtarët e Partisë Demokratike që nuk u dukën, në shkallët e selisë e prisnin pak mbështetës, ndërsa brenda gazetarët për të bërë pyetje e marrë përgjigje.
“Ju e keni parë që e kam marrë si një kosto që vjen për shkak të angazhimit publik, si kosto për shkak të mosdorëzimit të së vërtetës, moralit apo personalitetit që ka individi”, tha Salianji.
Ervin Salinanji foli dhe për planet e tij brenda PD-së me rikthimin e tij: “Besoj se çdo funksionar i PD ka detyrimin të gjejë zgjidhje si largohet regjimi, unë nuk kam bërë opozitë vetëm kur kam pasur funksione, unë kam dhënë gjurmën time në momente të caktuara për të treguar se nuk ka rëndësi funksioni, por vokacioni. Nuk ka rëndësi se kush do jenë në funksione, funksionet t’i jep angazhimi, jo funksioni”.
Në konferencën për shtyp pas lirimit nga qelia, Salianji hodhi akuza ndaj Gjykatës së Lartë. Sipas tij, ajo ka bërë falsifikim të shortit për caktimin e trupës gjyqësore që do shqyrtonte rekursin e tij. Po ashtu, paralajmëroi një përballje me qeverinë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
(A2 Televizion)