Për opozitën të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave për censin e popullsisë dhe të banesave janë të manipuluara. Partia Demokratike, me anë të Ines Nurjas, ish-drejtuese e INSTAT, deklaroi se shifrat e bëra publike tregojnë ndërhyrjen e qeverisë te ky institucion. Sipas saj, numrat e INSTAT rrëzohen edhe nga të dhënat e Eurostat që flasin për një shpopullim të vendit në 10 vitet e fundit.
“Shifrat kanë manipulime. Sepse, sipas INSTAT popullsia në Shqipëri është 2.4 milionë dhe për 12 vjet janë shtuar vetëm 70 mijë banesa. Sipas të dhënave nga EUROSTAT, nga Shqipëria janë larguar mbi 900 mijë banorë vetëm në vendet e Bashkimit Europian. Ky është një mashtrim krye e këput. INSTAT-i ka mashtruar si me numrin e popullsisë, ashtu edhe me numrin e banesave”, tha Ines Nurja – drejtuese e departamentit të statistikave, PD.
Edhe për Ilir Metën, shifrat e publikuara nga INSTAT tregojnë se Shqipëria është projektuar për t’u shpopulluar.
“Shifrat janë të trukuara, kjo është e padiskutueshme, ndaj dhe vonesa e këtyre publikimeve është e pa justifikueshme. Është e sigurt që sot në Shqipëri ka më shumë apartamente se banorë”, tha Ilir Meta – president i Partisë së Lirisë.
Edhe për Lulzim Bashën, INSTAT tregoi se eksporti më i madh i Edi Ramës janë shqiptarët, duke iu referuar shifrave të emigrimit në 10 vitet e fundit.
“Shpopullimi i vendit, i fshehur pas arnave të një censusi të zvarritur, të deformuar dhe jo transparent, si asnjëherë më parë e si në asnjë vend tjetër të botës, është produkt i drejtpërdrejtë i një qeverie të korruptuar që punon për interesat e një grushti të vogël njerëzish, duke lënë në varfëri familjet shqiptare, që mpaken vit pas viti”, tha Basha.
Të gjithë eksponentët e opozitës shprehen se ndalja e shpopullit ka vetëm një zgjidhje që është largimi i Ramës nga pushteti. (A2 Televizion)