“Të shtyhet tenderi për Portin e Durrësit”, Van Cleeve për A2CNN: I kam dërguar e-mail privat kryeministrit, jo në emër të AmCham

Nga A2 CNN
7 Mars 2026, 19:19 | Politikë

Përmes një letre, Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Grant Van Cleeve, i kërkon kryeministrit Edi Rama dhe disa zyrtarëve të lartë të qeverisë shtyrjen e tenderit për portin e ri të Durrësit.  

Për A2CNN, Van Cleeve konfirmon se letrën e ka dërguar personalisht dhe jo në emër të AmCham. Në letër argumentohet se nëse porti ndërtohet me përmasat e planifikuara aktualisht, vendi rrezikon të humbasë mundësinë për t’u bërë një qendër kryesore logjistike në Ballkan.

Vendimi i planifikuar për 9 mars lidhur me Porto Romanon përfaqëson një moment strategjik kombëtar që do të formësojë pozicionin gjeopolitik dhe ekonomik të Shqipërisë në Evropën Juglindore për dekadat e ardhshme. Portet ndërtohen një herë në shekull dhe gabimet strategjike të bëra në porte mund të përcaktojnë fatin e një kombi për një shekull.

Nëse Porto Romano ndërtohet në shkallën e tij aktuale të kufizuar, Korridori VIII do të dështojë strukturalisht dhe rrjedhat e mallrave në Evropën Juglindore do të vazhdojnë të kapen nga Porti i Pireut dhe Porti i Selanikut, duke e lënë Shqipërinë jashtë sistemit qendror logjistik të Mesdheut për shekullin e ardhshëm.

Në letër, Van Cleeve thekson më tej se Amerika mund të ofrojë ndihmën e saj me firma inxhinierike lider amerikane për të ndihmuar në rishikimin e projektit të Porto Romanos, hekurudhave, autostradave dhe gjithë infrastrukturës me përdorim të dyfishtë të Korridorit VIII, të ndërtuar sipas standardeve të NATO-s, në koordinim të plotë me NATO-n dhe me objektivin për të siguruar financim shtesë nga NATO.

Në këtë mënyrë, sipas tij Porto Romano mund të bëhet platforma qendrore logjistike e Evropës Juglindore, e integruar me Korridorin VIII.

E teksa bëhet publike kjo letër, këtë të shtunë Rama gjatë foli për rëndësinë strategjike të koridorit të 8 dhe lidhjen e tij me Portin e Durrësit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos