Me emocion, Hajredin Isufi kujton vitet e para të mësimdhënies, kohën kur profesioni i mësuesit shihej si një mision dhe jo thjesht si një punë.
Në klasat e vogla të shkollave të asaj kohe, libri ishte udhërrëfyesi kryesor dhe mësuesi figura që formonte jo vetëm dijen, por edhe karakterin e nxënësve. Hajredin Isufi tregon se përgatitja në Normale ishte e fortë dhe e mbështetur mbi disiplinën, përkushtimin dhe dashurinë për dijen.
Sipas tij, mësuesi duhej të ishte gjithmonë një hap përpara nxënësit, jo vetëm në njohuri, por edhe në shembullin që jepte. Por, ndërsa kujton me nostalgji vitet e mësimdhënies, ai ndalet edhe tek realiteti i sotëm. Sipas tij, një nga sfidat më të mëdha në arsim është boshllëku që krijon mungesa e një libri të qëndrueshëm dhe të konsoliduar për nxënësit, shkruan A2.
Ai thekson se libri ka qenë gjithmonë themeli i dijes dhe orientimi kryesor në klasë, ndërsa sot shpesh roli i tij duket i zbehur mes ndryshimeve të vazhdueshme dhe metodave të reja.
Megjithatë, përtej sfidave të kohës, mesazhi i tij për brezat e rinj të mësuesve mbetet i qartë: mësuesia është një profesion që kërkon përkushtim, durim dhe mbi të gjitha dashuri për nxënësin.
Në Ditën e Mësuesit, historia dhe përvoja e njerëzve si Hajredin Isufi mbeten një kujtesë e fortë për rolin që ka pasur dhe vazhdon të ketë mësuesi në formimin e shoqërisë.
(A2 Televizion)