Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i kërkon zyrtarisht Kuvendit nisjen e procedurave për shqyrtimin e çështjes së mandatit të deputeti socialist, Vullnet Sinaj. 14 deputetë demokratë kanë nënshkruan mocionin për heqjen e mandatit të Sinajt, pasi sipas tyre ekzistojnë 30 prova se si si ligjvënësi i maxhorancës ka përfituar para nga buxheti i shtetit nëpërmjet kompanive të tij gjatë kohës së ushtrimit të mandatit të deputetit.
Socialisti nuk i ka tjetërsuar aksionet, por i ka transferuar aksionet tek persona të tjerë, dhe për këtë arsye demokratët akuzojnë se ai asnjëherë nuk ka humbur të drejtën e pronësisë mbi kompanitë e tij dhe marrjen e fitimeve.
“Në asnjë rast, deputeti Vullnet Sinaj nuk humb të drejtën për të marrë fitimet nga shoqëria, sepse kjo jo vetëm buron nga ligji, por përcaktohet qartësisht edhe në pikën 3, të nenit 3 të secilës Akt-Marrëveshje, ku specifikohet: “Z. Vullnet Sinaj, pavarësisht kalimit në zotërues pasiv të kuotave të tij, gëzon në mënyrë individuale të drejtën e përfitimit të fryteve civile të pronësisë që gëzon mbi kuotat e saj në shoqëri, përfitime të cilat do të jenë të pasqyruara hollësisht në Pasqyrat Financiare të shoqërisë, por në çdo rast, nuk mund të ushtrojë asnjë veprim tjetër civil mbi këtë pasuri”, thuhet në kërkesën e grupit PD.
Demokratët shprehen se pronësia mbi këto kompani dhe fakti që fitimet kanë shkuar si divident për vetë deputetin Vullnet Sinaj rezulton i provuar edhe nga deklaratat vjetore të deklarimit të pasurisë nga ana e tij.
“Nga ana jonë, janë marrë në analizë deklaratat e viteve 2017 (fillimi i detyrës), 2017,2018, 2019, 2020 dhe 2022, të cilat janë publike, nga ku deputeti deklaron pronësinë mbi këto shoqëri dhe deklaron si të ardhura fitimet e këtyre shoqërive, përmes marrjes së dividentit në përputhje me kuotat që zotëron në secilën kompani”, thuhet më tej në kërkesën e demokratëve.
Bazuar në këto pretendime të tyre, grupi i PD kërkon nga Kuvendi miratimin e kërkesës dhe dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për të konstatuar papajtueshmërinë dhe mbarimin e mandatit të deputetit Vullnet Sinaj. Sipas rregullores së Kuvendit, së pari duhet të mblidhet Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet për shqyrtimin e mocionit e më pas diskutimi dhe votimi në seancë plenare.
Pavarësisht pretendimeve të PD, deputeti Sinaj ka mohuar akuzat. Në një reagim në mediat sociale Sinaj pohoi se ai dhe pagën e jep për bamirësi dhe nuk ka përfituar asnjë Lek nga buxheti i shtetit. (A2 Televizion)