Historiani Haxhi Ademi, në një lidhje direkte me studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN, deklaroi se sot “Tirana i bashkoi të gjithë” në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Shteti amë shqiptar tregoi që është në mbështetje të vlerave kombëtare. Tirana bashkoi të gjithë, pa dallim politik dhe u bë simbol i bashkimit”, tha Ademi.
“Zakonisht, debatet historike i bëjmë vetëm në përvjetorët e pavarësisë. Përtej kësaj, vëmendjen kryesore e merr shoëbiz-i dhe të rinjtë nuk informohen për proceset historike nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar në tërësi. Shteti shqiptar ka luajtur rol kryesor në përpjekjen që Kosova të fitonte fillimisht të drejtat e mohuara nga regjimi serb. Në fazën e luftës, shteti shqiptar argumentoi para ndërkombëtarëve se si të drejtat e shqiptarëve mohoheshin nga Serbia. Tani, unë vlerësoj se duhet t’i kushtojmë më shumë rëndësi debateve rreth historisë. UÇK-ja në asnjë rast nuk ka të dhëna që ka bërë krime. Në Kosovë janë vrarë mbi 10 000 civilë të vrarë, ndërsa në anën tjetër kemi 300-400 civilë të vrarë me etni serbe”, shtoi historiani.
“Gjykata Speciale është një gjykatë e njëanshme, që nuk duhej të formohej. Duhej të kishte një gjykatë për krimet që kanë ndodhur në Kosovë. Përtej kësaj, faktori ndërkombëtar dhe serbët me dëshmitë e tyre të rreme bëjnë përpjekje për të pasqyruar që UÇK-ja ka kryer krime ndaj serbëve. Besoj se drejtësia do të triumfojë, por shikoj se në proces ka shkelje të rregullave. Prandaj dhe ka protesta. Ka shkelje të të drejtave të të burgosurve”, theksoi më tej Ademi. (A2 Televizion)