Doktori i shkencave për sigurinë kombëtare, kolonel Dritan Demiraj ishte i ftuar në “Of the Record” me Andrea Dangllin ku foli për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë në botë, pas objektivave të Evropës për t’u armatosur dhe përpjekjeve të administratës Trump për t’i dhënë fund konfliktit Rusi-Ukrainë.
Sipas kolonelit Demiraj, ushtritë e Norvegjisë, Holandës dhe Britanisë deklaruan disa ditë më parë se në rast të një konflikti me Rusinë kanë armatim vetëm për 5 ditë, gjë kjo që tregon se BE nuk duhet të jetë tërësisht e varur nga SHBA.
Demiraj shton se Rusia nuk ka asnjë interes të nisë një luftë botërore, teksa shtoi se ajo është provokuar nga BE për të bërë një gjë të tillë.
“Ndryshimet gjeopolitike kanë kërkuar ndryshime drastike, kjo është treguar me prishjen e rendit global dhe krijimin e një rendi të ri, ku Kina dhe Rusia kërkojnë një botë multipolare. Europa kishte rënë në qetësi dhe ndiqte një doktrinë pacifiste. BE nuk duhet të mbështetej vetëm tek SHBA. Europa tashmë e ka kuptuar që duhet të riarmatoset dhe nuk duhet të varet nga SHBA. Frika më e madhe është dështimi spektakolar që kanë pasur dhe pse i kanë dhënë asistencë Ukrainës me të gjitha armët.
Shtabi i Norvegjisë, Holandës, Britanisë në rast të një konflikti me Federatën Ruse kanë armatim vetëm për 5 ditë. Kjo tregon dëshpërimin për të qenë të gatshëm për t’u përballur me Rusinë. Do të duhen dekada. Kjo nuk mund të ndodhë për vitet e ardhshme. Federata ruse ka vite që punon për të pasur garanci. Putin nuk ka asnjë interes që të godasë Poloninë. BE ka qenë për ta provokuar Putin që ai ta godiste. Kemi një qasje të re të Trump që po përpiqet të ndalojë një konflikt”, tha Demiraj. (A2 Televizion)