Shqipëria 2030 në BE, nga pagat te pensionet, Rama me premtime për të gjithë

Nga A2 CNN
29 Mars 2025, 19:29 | Politikë

Me stilin e përsëritur one man show, pa publik në sallë, i rrethuar vetëm nga kamerat, me një skenografi plot ngjyra dhe shifra që ndryshonin pas tij, dhe me ecejake sa nga flamuri blu i BE të trëndafili roze i PS-se, Edi Rama prezantoi për mbi 90 minuta programin me të cilin Partia Socialiste do të shkojë përpara zgjedhësve në 11 maj.

Projekti për Shqipërinë 2030, i cili shkon përtej një mandati të katërt, sipas kryeministrit është udhërrëfyesi që vendi brenda një dekade të jetë anëtar i familjes europiane. Por për këtë Edi Rama kërkon një mandat më të fortë në numra se ky që ka aktualisht në mënyrë që të mbyllë negociatat në kohë rekord.

“Ne kemi shansin historik t'i mbyllim për tre vjet, 2024-2027. Nga populli shqiptar i 11 majit, një mesazh përtej shumicës aritmetike, duam pasaportën e BE-së për Shqipërinë dhe për çdo shqiptar dhe shqiptare. Për t'iu dhënë pasaportën e BE na duhet, jo thjeshtë një mandat i 4, po na duhet një mandat i fortë, më i fortë se të tre mandatet e derisotme”, tha kryeministri.

Pajisja me kartën e aksesit në Bruksel dhe pushteti i PS, sipas Edi Ramës, do ta mbrojnë ekzistencën e drejtësisë nga Sali Berisha.

“Ajo shpatë ka qëndruar në zyrën e të parit të qeverisë, që nga 1912 deri kur unë arrita në atë zyrë. Sot, ajo shpatë është në duart e SPAK-ut. Sot, ajo peshore është në duart e Gjykatës Speciale dhe sot ne jemi garantët e vetëm të kësaj historie të re, të cilën bufi i kënetës, bashkë me të gjithë të tjerët rreth tij përbetohen e betohem se do ta kthejnë përmbys”, shtoi Rama.

Premtimin e mandatit të parë për 300 mijë vende pune, shumica e majtë qeverisëse thotë që ka arritur ta plotësojë, ndonëse në fund të mandatit të tretë. 

“Tani shumëkush na e përmend atë 300 mijë vende pune. Kur ne morëm detyrën, Shqipëria kishte 1 milion e 23 mijë të punësuar. Sot, numri i të punësuarve në regjistrin e vitit 2024 është 1 milion e 327 mijë”, tha Rama.

Për Shqipërinë 2030, qeveria e Edi Ramës ka hapur thesin e premtimeve për rritjen e pagës minimale, rrogave të mësuesve dhe të mjekëve.

“Nga janari i 2026 paga minimale 500 euro. Paga mesatare për mësuesit 1250 euro. Paga e mjekëve 2 mijë euro”, premtoi kryeministri.

Për shkak të numrit të lartë të pensionistëve votues, dhe debatit të fortë mbi pensionet këtë vit, Rama është detyruar këtë herë ta përfshijë edhe këtë kagetori në prioritetet e tij.

“Shqipëria 2030. Pensioni mesatar 400 euro për ata që paguajnë sigurime dhe pensioni minimal 200 euro”.

Shumica e majtë nuk heq dorë nga fushata me çelësa në dorë për strehim.

“Do të investojmë 300 milionë euro me synimin për 50 mijë çelësa, 50 mijë dyer. Nga një anë për çiftet e reja, do ta thellojmë këtë edhe për profesionistët në sektorin privat, profesionistët e rinj dhe ata që duan të kthehen nga emigrimi”, u shpreh Rama.

Pas zgjedhjeve, biznesit do t’i propozojë në tryezë një marrëveshje që i mban larg për tre vite tatimet

“Do t'i propozojmë biznesit, qysh në qershor një marrëveshje paqeje të negociuar fiskale për një periudhë 3 vjeçare, ku 15 % i tatimit do të paguhet mbi fitimin e përputhur me normën e rritjes ekonomike, ndërsa për çdo fitim shtesë që biznesi do të deklarojë mbi atë normë, do të tatohet vetëm 5%”, deklaroi kreu i qeverisë.

Përveçse premton transport për nxënësit, kryeministri thotë që do të ndërtojë edhe shkolla të reja nëse do të fitojë me 11 maji.

Qeveria ka bërë një përllogaritjeve të km të rrugës që pritet të ndërtohen, ndërsa pista e Aeroportit të Vlorës pritet të inaugurohet para zgjedhjeve të 11 majit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos