Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka ngritur tonet në foltoren e Kuvendit, ku tha se ligjvënësit opozitarë u kërcënuan nga ish-ministri Ilir Beqaj në Komisionin Hetimor.
Zhupa tha gjatë fjalës së saj se Kuvendi duhet të merrte masa për kërcënimet e Beqajt, pasi sipas saj, ka dokumentarë që tregojnë edhe për porositje vrasjesh nga burgjet.
Ajo po ashtu i kërkoi llogari mazhorancës për kushtet që i kanë krijuar në burg Beqajt, pas ankesës së këtij të fundit që tha se ‘kushtet në Kuvend janë ç’njerëzore’.
“Ju nuk patët guximin të thoshit një fjalë si kryetare, le më ai kolegu që as e përmendi fare që kërcënohen deputetët në sallën e Kuvendit, me një njeri që na bëka edhe një status për kushtet ç’njerëzore të Kuvendit.
Çfarë kushtesh i keni ofruar ju atij në burg, që i duket Kuvendi ç’njerëzor dhe burgu parajsë. Se kemi parë shumë dokumentarë për trajtime të veçanta dhe për urdhërime vrasjesh nga burgu. Por Beqaj tha ‘zyrat e Kuvendit, ishin kushte ç’njerëzore’ për Beqajn, që vinte nga qelitë e paraburgimit.
Dhe vinte e na kërcënonte ne duke na thënë ‘mbylle gojën, qepe ti, ta tregoj unë ty, kush je ti’. Dhe ne duhet të vijojmë këtu normalitetin, pasi nuk kemi siguri në Parlament, pasi juve iu komandon Ilir Beqaj”, tha Zhupa. (A2 Televizion)