Pas akuzave të ngritura nga deputetët e opozitës në protestën e së enjtes pranë godinës së Kuvendit, se një polici tentoi të nxjerrë armën ndaj deputetëve, Policia e Shtetit reagoi me një deklaratë zyrtare.
Në deklaratën e policisë theksohet se efektivi ishte me spray në brez, jo armë. Partia Demokratike ka reaguar ndaj policisë duke thënë se po tentohet të fshihet tentativa e vrasjes së deputetëve. Sipas PD, në video tregohet qartë se bombola e gazit është në pozicionin e brinjës ndërsa pistoleta poshtë saj, shkruan A2.
“Garda nxjerr pistoletën në drejtim të deputetëve të opozitës. Video e publikuar nga Policia mashtrim. Pamjet hedhin poshtë dizinformimin e shpërndarë në media.
Policia e Shtetit ka shpërndarë një video ku tenton të mbulojë aktin e rëndë të gardistit i cili i drejtoi armën dy deputetëve të opozitës, Luan Baçi dhe Bledion Nallbati. Në një video e cila i është shpërndarë medias nga vetë Policia, tregohet qartë se bombola e gazit është në pozicionin e brinjës ndërsa pistoleta poshtë saj.
Kjo hedh poshtë mashtrimin e policisë për të fshehur një tentim vrasje të deputetëve të opozitës”, shkruan A2. (A2 Televizion)