
"Vrasja e 20-vjeçarit portugez në Ksamil, është pothuajse vrasje shtetërore". Kështu ka deklaruar kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë një konference për mediat. Sipas kreut demokrat industria turistike në Sarandë është në kthetrat e krimit, ku siç thotë ai shteti dhe krimi janë një.
“Vrasja e 20-vjeçarit portugez, turist në Ksamil, është një akt sipas të dhënave, pothuaj vrasje shtetërore. E them këtë në kuptimin, jo se ai u ekzekutua nga njerëz me uniformë, por në kuptimin e vërtetë se industria turistike në Sarandë është në kthetrat e krimit. Në Sarandë, shteti dhe krimi janë një. Ligji nuk ekziston. Në Sarandë, dhe jo vetëm, flitet gjerësisht për një ekonomi të bazuar në trafiqe droge, njerëzore etj, e cila gëlon nga darka në mëngjes në lokalet e natës, të cilat funksionojnë gjer në agim. Në plazhet e pushtuara, ku nuk gjendet një metër plazh publik, por të gjitha të dominuara nga të fortit që shesin shezlonget qindra euro”.
(A2 Televizion)