Pas 4 muajsh rinumërime dhe ankimime, KQZ vulosi rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, nga ku PS fitoi 83 mandate, PD–Aleanca për Shqipërinë Madhështore me 50 mandate, PSD 3 mandate, Mundësia me 2 mandate, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Shqipëria Bëhet me nga një mandat.
Ashtu si partitë politike, as Komisioni Rregullator nuk arriti të gjente konsensusin e 5 anëtarëve të saj, duke e miratuar pro vetëm me 3 anëtarët që përfaqësojnë mazhorancën, ndërsa 2 anëtarët e tjerë të opozitës e kundërshtuan atë, shkruan A2 CNN. Muharrem Çaka bëri thirrje që Rregullatori të mos kthehet në noter të interesave të PS, duke vënë në pah parregullsitë dhe standardet e ndryshme të përdorura për dorëheqjet e kandidatëve të mazhorancës dhe atyre të partive të vogla.
Pretendimin e anëtarit të Rregullatorit, administrata e KQZ-së dhe përfaqësuesja e PS-së në këtë institucion e kundërshtuan me faktin që për Maldrita Bardhon e Fierit dhe dorëheqjet e PSD-së në Tiranë nuk ka pasur ankimim.
Kryetares së Rregullatorit, Ilirjana Nanos, i ra përgjegjësia për të mbrojtur e vetme votën pro të 3 anëtarëve, pasi 2 kolegët e saj, Dritan Çaka dhe Arens Çela, kishin zgjedhur të mos ishin fizikisht, por ta ndiqnin mbledhjen nga ekrani i vogël, nëpërmjet teknologjisë. Madje, në disa momente problemet teknike me lidhjet online mund të kishin shtyrë edhe certifikimin e zgjedhjeve.
Anëtarët e Rregullatorit që kundërshtuan rezultatin treguan se, përveç mungesës së standardeve, ishin zhgënjyer edhe nga Altin Dumani.
Opozita e ka shprehur publikisht që nuk i njeh zgjedhjet, por nga ana tjetër, demokratët kanë 5 ditë kohë për ta ankimuar vendimin e Rregullatorit në Kolegj Zgjedhor. Më pas krijohet mundësia për Presidentin e Republikës të dekretojë Parlamentin e ri, brenda afateve ligjore që rregullojnë veprimtarinë e tij. (A2 Televizion)