Enkelejd Alibeaj me partinë “Djathtas 1912” dhe LZHK e Dashamir Shehit kanë zyrtarizuar koalicionin e tyre për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
“Ne do të prezantohemi me një listë të përbashkët të hapur për deputetë, Ne i qëndrojmë bindjes sonë të thellë se vetëm bashkëpunimi përmes listës së përbashkët të hapur garanton zgjedhjen e lirë të qytetarëve për të dërguar përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”, tha Alibeaj.
Udhëheqësi këtij koalicioni do të jetë kreu i LZHK Dashamir Shehi, i cili ftoi edhe njëherë partitë e tjera t’i bashkohen këtij grupimi, përfshirë Lulzim Bashën.
Ndonëse gjykata kushtetuese vendosi ndryshe, koalicioni do të aplikojë listat e hapura bazuar mbi vullnetin e të gjithë pjesëtarëve. Ky parim, shpjegoi Fabian Topollaj, ishte ndër arsyet kryesore pse Bindja Demokratike u bashkua me LZHK.
“Ky koalicion i vetmi që po realizon vetë hapjen e listave, shumë e qartë arsyeja pse Bindja i është bashkuar LZHK-së. Këto janë arsyet pse jemi larguar edhe nga PD”, tha Topollaj.
Partitë politike kanë kohë deri më 25 shkurt për t’u regjistruar përzgjedhjet e 11 majit, ndërkohë që më 7 mars është afati për regjistrimin e koalicioneve. (A2 Televizion)