Ashtu siç ishte paralajmëruar u zhvillua këtë pasdite mbledhja e strukturave të Partisë Socialiste në Tiranë, e thirrur nga kreu i PS, njëherësh kryeministri Edi Rama. Mbledhja u zhvilluanë kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, të cilat përveç Tiranës përfshijnë edhe 5 bashki të tjera të vendit.
Gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi raporton se në mbledhje morën pjesë të gjithë drejtuesit politikë të PS, jo vetëm ata të bashkive që më 9 nëntor do të shkojnë në zgjedhje. Po ashtu ishin të pranishëm edhe ministrat, deputetët, ish-deputetët që nuk morën dot mandat në 11 maj në qarkun e Tiranës, kandidatët që ishin në listë dhe çdo drejtues i strukturës lokale të PS.
Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura dhe Rama ka shpërndarë të gjitha direktivat për zgjedhjet e 9 nëntorit.
Mësohet se të gjithë deputetët dhe drejtuesit politikë që nuk kanë zgjedhje në bashkinë e tyre do të angazhohen në fushatën e Tiranës. Po ashtu përveç drejtuesve politikë në terren do të zbresin edhe ministrat, të cilëve do tu caktohen zona të caktuara.
Zonat elektorale për deputetët dhe ish-ligjvënësit socialistë që kanë garuar në Tiranë do të jenë të njëjta si ato për zgjedhjet e 11 majit. Në fushatë atyre do t’u shtohen edhe deputetët e qarqeve të tjera, në të cilat nuk ka zgjedhje të pjesshme lokale.
Në Tiranë nga burimet në takimet e mëhershme që ka pasur kryeministri me përfaqësues të kryeqytetit në selinë e PS, është mësuar se Rama është shprehur: “Dua të kemi një fitore sa më të madhe”. Kjo kërkesë e Ramës mësohet se nuk vjen vetëm për sfidën me kundërshtarin politik, por edhe për të gjithë perceptimin se rezultati i Tiranës nuk varet nga vetëm një individ.
Sakaq në takimin e sotëm Rama ka kërkuar që fitorja e Tiranës të konfirmojë rezultatin bindës që Partia Socialiste arriti më 11 maj.
Ndërkohë, sa i përket caktimit të datës së zgjedhjeve, mësohet se Rama u ka thënë socialistëve se kjo është zgjedhja e Presidentit të Republikës dhe e këshilltarëve të tij. (A2 Televizion)