Personi që u gjet i pajetë pranë hidrovorit të Tales në Lezhë, rezulton të jetë vrarë me armë zjarri.
Policia e Lezhës sqaron përmes një njoftimi për mediat se 65-vjeçri i gjetur i pajetë ishte denoncuar i zhdukur në mesditë nga e bija. Sipas Bluve në trupin e viktimës, të identifikuar si Gjergj Tusha, janë konstatuar shenja dhune dhe një plagë e shkaktuar me armë zjarri.
“Rreth orës 14:40, në Sallën Operative ka telefonuar shtetasja A. Gj., duke njoftuar se kishte humbur kontaktet me babain e saj, shtetasin Gj. T., 65 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij. Pas disa orësh kërkimesh, rreth orës 17:30, në breg të lumit Mat, në Pllanë, Lezhë, është gjetur pa shenja jete shtetasi Gj. T. Nga këqyrja paraprake, viktima ka shenja dhune, përfshirë një plagë në trup, dyshohet nga armë zjarri”, njofton policia.
Sakaq, burime për A2 CNN bëjnë me dije se vajza e të ndjerit kur ka telefonuar në sallën operative ka treguar që babai i saj kishte dalë me bagëti dhe kur ka tentuar të komunikoje me të në drekë, ai nuk i është përgjigjur në telefon.
Policia e Lezhës ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë në terren ndodhen edhe shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë të njësisë Shkodër, të cilat po kryejnë kontrolloe të zgjeruara në zonë. (A2 Televizion)