Tre kryebashkiakë socialistë zgjodhën të ishin në Parlament, duke ndërprerë punën e tyre si drejtues të pushtetit vendor. Pas dorëheqjes së Ervin Demos, Tërmet Peçit dhe Agron Malajt, Berati, Tepelena dhe Mati prej gati tre muajsh nuk kanë një kryetar të zgjedhur.
Edhe pse dorëheqja e tyre është bërë publike që më 11 mars dhe të tre do të jenë në ekipin e ardhshëm parlamentar të Edi Ramës, Këshilli i Ministrave ende nuk ka njoftuar Presidentin e Republikës për vakancat në këto tre njësi vendore. Zyra e Presidencës pohoi një fakt të tillë për A2 CNN, duke konfirmuar se nuk ka asnjë komunikim nga Këshilli i Ministrave lidhur me këtë çështje.
Për të shkuar në zgjedhje të pjesshme lokale, duhet një bashkërendim i ligjit për qeverisjen vendore, Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës, të cilat, për rastin e dorëheqjes, lënë më shumë hapësira për interpretim. Ligji për vetëqeverisjen vendore dërgon te Kodi Zgjedhor, i cili sanksionon se zgjedhjet duhet të mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga njoftimi i ndërprerjes së mandatit. Por këtë afat, pika 3 e nenit 10 të Kodit e jep për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës.
Ky nen nuk flet për dorëheqje të kryebashkiakut, por për shkarkimin e tij nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjeve.
Teksa për bashkitë e Beratit, Tepelenës dhe Matit, vakancat janë për shkak të largimit vullnetar të drejtuesit, socialistët mund të përballen me një situatë tjetër në Bashkinë e Tiranës. Mungesa e Erion Veliajt prej më shumë se tre muajsh në ushtrimin e detyrës për shkak të arrestimit të tij, mund të vë në lëvizje Këshillin Bashkiak, bazuar në pikën 3 të nenit 62 të ligjit për qeverisjen vendore.
Sipas nenit 62, pika 3:
Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur:
a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;
b) dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë nga gjykata;
c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.
Deri më tani, nuk ka një mbledhje nga ana e Këshillit Bashkiak të Tiranës për këtë çështje, pavarësisht se ka një kërkesë zyrtare nga ana e dy këshilltarëve demokratë, Ilir Alimehmeti dhe Ilda Zhulali, që nga data 9 maj.
Ashtu si Tirana, edhe Bashkia e Tropojës nuk e ka të parin e qytetit në detyrë, për shkak se ndodhet në arrest shtëpie për shpërdorim detyre që prej shtatorit.
Gjykata e Posaçme e Apelit do të vendosë për fatin e socialistit në karrigen e kryebashkiakut të Rrogozhinës, Edison Memolla, pasi, edhe pse u dënua nga Gjykata e Posaçme për krim zgjedhor, ai ka refuzuar të largohet nga detyra. (A2 Televizion)