“U dërgohet të huajve”, Berisha: Në 10 qershor gati raporti përfundimtar për farsën

Nga Anesti Barjamemaj
30 Maj 2025, 14:43 | Politikë

Brenda 10 ditësh demokratët do të kenë gati raportin përfundimtar për atë që e quajnë farsë elektorale. Këtë pohoi Sali Berisha në një konferencë për mediat, ku njoftoi se materiali final me denoncimet e tyre do të dërgohet në adresë të të gjitha kancelarive të huaja. “Raporti përfundimtar do bëjmë çdo gjë që të jetë gati nga data 10 qershor. Por ndërkohë, ne si dokumente i nisim që të gjitha në misionin e ODIHR dhe misione të tjera vëzhguese. Ku do shkojë raporti përfundimtar? Raporti përfundimtar do shkojë në të gjitha kancelaritë e vendeve anëtare të OSBE-se, BE-së dhe Këshillit të Europës”, tha Berisha, shkruan A2 CNN.

Sipas kreut të demokratëve dërgimi i raporteve paraprake prej tyre ka frenuar dhe urimet e ndërkombëtarëve për Edi Ramën. Berisha pretendoi se kishte emra zyrtarësh të huaj që u ishte dërguar kërkesa për urim nga kreu i qeverisë, por ata nuk kishin pranuar. “Ka shpërndarë kërkesa të panumërta që të marrë urime, por urimet nuk po i vijnë. Telefonata të shumta, po statuse nuk postohen. Urime nuk i vijnë. I kanë ngecur në fyt zgjedhjet dhe do i ngecin edhe më keq”, tha Berisha.

Teksa u pyet mbi kërkesat e kandidatëve demokratë për rinumërim të votave preferenciale, pasi kanë pretendime ndaj kolegëve të listës, Berisha përsëriti thirrjen që çdokush mund të kryejë të gjitha veprimet ligjore dhe cilido që ka shkelur ligjin të përballet me të. “Cilido që dëshiron, është i lirë ta bëjë. Ne nuk bllokojmë asnjë njeri që ta bëjë transparencën. Në qoftë se ka pasur njerëz të pandërgjegjshëm, ata do identifikohen dhe do mbahet qëndrim ligjor”.

Berisha pohoi se rezultati i 11 majit nuk do të njihet dhe shtoi se prioritet do të jetë puna për të bindur çdo shqiptar se zgjedhjet ishin farsë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos