Gazetari-deputetit të PS: Tirana është qytet i vrarë, i kthyet zgjedhjet në “mafie politike”

Nga A2 CNN
8 Tetor 2025, 22:44 | Politikë

Gazetari Bledian Koka u përplas në emisionin Off the Record me deputetin e PS-së Ardit Bido pas diskutimit mbi gjendjen e Tiranës dhe garën për kryebashkiakun e ardhshëm të kryeqytetit.

Ardit Bido deklaroi se fushata duhet të fokusohet te projektet konkrete për qytetin dhe se Partia Socialiste, me Ogerta Manastirliun si kandidate, do t’i japë Tiranës “një hov të ri drejtimi”.

“Ky duhet të jetë debati në këtë fushatë zgjedhore, çfarë do të bëhet për Tiranën. Besoj se do t’i japim një hov të ri drejtimit të kryeqytetit nga ana e Partisë Socialiste dhe Ogerta Manastirliut.”

Por gazetari Bledian Koka reagoi, duke e cilësuar Tiranën “një qytet të shkatërruar përfundimisht” nga ndërtimet pa kriter.

“Tirana nuk shpëtohet dot më, është një qytet i vrarë përfundimisht. Kjo që quhet Tiranë sot nuk është më Tiranë, është një gjë e bastarduar e gllabëruar nga ndërtimet. Nuk ka më asnjë cep pa pallate, as në zemër të qytetit.”

Koka akuzoi qeverinë për prishjen e ekuilibrave urbanë dhe dështim total në menaxhimin e qytetit, ndërsa e quajti sistemin politik aktual “mafie elektorale” që ka zëvendësuar zgjedhjet me thjesht votime formale.

“Ju dhe Rama keni bastarduar zgjedhjet, i keni zëvendësuar me votime. Ti je pjesë e një formacioni politik që ka patronazhistë, që e ka kthyer procesin në një informacion mafioz politik. Nuk ka më zgjedhje, nuk ka më vullnet qytetar, as programe.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos