125 raste të reja me HIV, më shumë meshkuj të prekur, kontakte seksuale dhe brenda gjinisë

Nga Ornela Joti
1 Dhjetor 2025, 15:16 | Sociale

Rriten rastet me HIV në Shqipëri. Vetëm gjatë vitit 2025 janë konfirmuar HIV pozitiv 125 persona, edhe pse shifrat e të infektuarve mund të jenë shumë më të larta. Në Ditën Botërore kundër HIV-AIDS, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se numrin më të madh të rasteve të reja e përbëjnë meshkujt, 97, ndërsa femra të infektuara janë 28.

Transmetimi seksual është rruga kryesore e përhapjes së HIV-it, ndërsa 23% e rasteve e kanë marrë sëmundjen gjatë marrëdhënieve homoseksuale, shkruan A2 CNN. Gjatë këtij viti, një foshnjë ka lindur HIV pozitiv nga transmetimi nga nëna te fëmija. Ekspertët e Shëndetit Publik theksojnë se, pavarësisht protokolleve të miratuara, vetëm 50% e grave shtatzëna testohen për HIV.

Rastet e reja me HIV pozitiv janë kryesisht të moshave 25 deri 44 vjeç. Ndërsa në rang vendi, nga viti 1993 e deri tani, ISHP ka raportuar 1,973 raste.

HIV transmetohet përmes kontakteve seksuale, gjakut dhe qumështit të gjirit. Nuk përbën rrezik infektimi përqafimi, puthja apo shtrëngimi i duarve. Po ashtu, nuk transmetohet përmes ushqimit, ujit apo sendeve personale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos