40 lek nuk janë më të mjaftueshme për të hipur në urbanin e Kamzës pasi që prej fillimit të nëntorit, bileta ka pësuar një ndryshim me 25% rritje dhe tashmë qytetarët do të paguajnë 50 lekë.
Rritje ka pësuar edhe çmimi i abonesë, nga 1200 lekë në 1400 lekë. Të gjitha këto ndryshime kanë ardhur si pasojë e një vendimi të këshilli bashkiak.
Por çfarë thonë qytetarët për këto ndryshime? A është rritur edhe cilësia e shërbimit apo vetëm bileta?
“Vetëm bileta është rritur, shërbimi s’ka ndryshuar. Këto raste janë abuzive, të padrejta të pa matura. 200 lekë u rritën pensionet, 200 lekë u rrit abonoja”, tha një i moshuar për A2 CNN.
Po pse mori këtë vendim këshilli bashkiak i Kamzës?
“Bashkia Kamëz na pamundësi për ta subvencionuar transportin publik urban, e vetmja zgjidhje e domosdoshme për të patur transport publik funksional ishte ngritja e çmimit të biletës me 10 lek. Aktualisht janë vetëm dy linja Kamëz-Tiranë dhe Paskuqan-Tiranë. Për momentin nuk ka linja të tjera që mendojnë rritjen e çmimit të biletës, sidomos në bashkinë e Tiranës ku transporti publik subvencionohet që tre vit”, tha për A2 CNN Dashnor Memaj, kreu i Shoqatës së Transportit Urban.
Ndryshe nga Bashkia e Tiranës, Bashkia e Kamzës sipas kreut të shoqatës së transportit publik, nuk subvencionon abone për studentët dhe për pensionistët, ndonëse është një nga 5 bashkitë me numrin më të lartë të banorëve, me afro 96 mijë sipas censusit të fundit. (A2 Televizion)
