Amerikani që la “tokën e ëndrrave” për Gështenjasin

Nga Artin Halili dhe Gazmend Janku
25 Maj 2025, 11:07 | Sociale

Zgjedhjet e njerëzve mbi vendet ku dëshirojnë të jetojnë janë sa të çuditshme, aq edhe reale. Dhe një nga këto raste është ai i amerikanit 50-vjeçar, që pas disa vizitave në vendin tonë ka vendosur të vazhdojë jetën në një fshat të Pogradecit.

Por, cila ishte arsyeja e këtij vendimi, që amerikani të zhvendoset në Gështenjas të Pogradecit, nga ku kanë ikur dhe vijojnë të ikin jo vetëm të rinj. Craig Zieves deklaron për A2 CNN: “Mendoj se kam qenë këtu pesë ose gjashtë herë deri tani dhe e bleva shtëpinë time këtu para disa vitesh, ndërsa jam zhvendosur përfundimisht para shtatë muajsh. E dua Shqipërinë. Gjithë ideja ishte që të kaloja pak kohë duke jetuar jashtë vendit ku jam rritur, për të pasur një përvojë kulturore dhe për të përjetuar diçka ndryshe në jetë. Kryesisht sepse është shumë e bukur, dhe klima është pak më e butë”.

Zgjedhja e fshatit Gështenjas, pranë Pogradecit, erdhi pasi 50-vjeçari amerikan kishte shëtitur thuajse të gjithë jugun e vendit, përfshi edhe Durrësin, Tiranën dhe Krujën dhe tashmë na tregon se me çfarë merret në Gështenjas: “Unë punoj në kompjuter, rris mollë, dhe kryesisht kjo është ajo që bëj. Tani po punoj me sistemin e ujitjes që ka nevojë për përmirësim. Jam gjithmonë i zënë. Asnjëherë nuk ka momente të mërzitshme. Ndoshta do të nis biznesin tim. Tashmë kam një SHPK, kështu që kam bërë hapat e parë për këtë. Problemi është se më interesojnë shumë gjëra dhe dua të bëj shumë gjëra, ndaj më mban gjithmonë të zënë”.

Amerikani e njeh realitetin në Shqipëri dhe dëshirën e njerëzve për t’u larguar për një jetë më të mirë, jo vetëm në Europë, por edhe në Amerikë: “Keni një nga vendet më të bukura në botë. Amerika është gjithashtu një vend i mrekullueshëm, por edhe Shqipëria është e tillë. Nëse mund të gjeni një mënyrë për të jetuar dhe punuar në Shqipëri, është mjaft mirë. Nëse largoheni nga Shqipëria dhe ju pëlqen vendi ku jetoni, kjo është shumë mirë. Por, edhe Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Amerika është një vend i mrekullueshëm, por unë erdha këtu për të pasur një përvojë ndryshe dhe për të jetuar një stil jete pak më ndryshe dhe nuk kam asnjë pendesë për këtë”. 

Këto fjalë 50-vjeçari i mbështet me ndryshimet që shikon vit pas viti në Shqipëri dhe me sa duket e ka bërë zgjedhjen e tij larg Amerikës. Dhe nëse në të ardhmen e afërt do të martohet, dëshira është që ta bëjë në Shqipëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos