“Gjella me kripë e kripa me karar”, shqiptarët e konsumojnë dy herë më shumë se norma e OBSH

Nga Ornela Joti
22 Maj 2025, 15:12 | Sociale

Reduktoni sasinë e kripës në ushqime për të ulur rrezikun e goditjeve në zemër dhe në tru.

Këshilla vjen nga mjekët e QSUT, të cilët pas një studimi të kryer në popullatën tonë kanë konfirmuar se shqiptarët konsumojnë dy herë më shumë kripë se normat e rekomanduara nga OBSH, shkruan A2.

“Rezultatet ishin të pritshme. Ne konsumojmë 13,8 gramë kripë në 24 orë, që sipas rekomandimeve të OBSH-së dhe të gjitha shoqatave ndërkombëtare është sa dyfishi i asaj që rekomandohet. OBSH-ja rekomandon jo më shumë se 5 gramë kripë në 24 orë”, thotë OBSH.

Ky përfundim, sipas mjekëve të Klinikës së Sëmundjeve të Brendshme, është tregues i rritjes së sëmundshmërisë në popullatën tonë nga hipertensioni dhe problemet kardiovaskulare. Por, sipas tyre, reduktimi i kripës do të ulte me 30% rrezikun e goditjeve në tru: “Sipas studimeve, një ulje me vetëm 5 ml të shtyllës së zhivës së hipertensionit do ta ulte riskun për aksidente kardiovaskulare në tru me 30 për qind të rasteve. Nga ana tjetër, është parë që këtë do ta realizonim vetëm duke ulur kripën në më pak 5 gramë në ditë”.

Por, nga e marrin kripën, veç asaj që përdorim për gatim? “Rreth 67 për qind të kripës që konsumojmë e marrim nga ushqimet e procesuara dhe të gjysmëprocesuara, që e kanë kripën të shtuar në ushqime të caktuara. 15 për qind të kripës e marrim nga vaktet në restorante dhe fast food. 13 për qind të kripës e marrim nga sasia e shtuar në shtëpi dhe 4–5% e marrim nga përbërja natyrale e ushqimeve”.

Të dhënat për konsumin e lartë të kripës erdhën pas një studimi të kryer për herë të parë në një kampion prej 150 personash në dy lagje të Tiranës, të cilëve u është matur niveli i natriumit në urinë gjatë 24 orëve. Në javën e ndërgjegjësimit për hipertensionin, mjekët dhanë alarmin se 1 në 3 persona në Shqipëri vuan nga tensioni i lartë, që ndryshe cilësohet “vrasësi i heshtur”.

Për shkak të stilit të jetës dhe konsumit të lartë të kripës, hipertensioni nuk është më sëmundja e moshës së tretë, por edhe e të rinjve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos