Raporti 5 me 1, turizmi informal “sundon” në Gjirokastër

Nga Rigels Malile dhe Gazmend Janku
21 Maj 2025, 14:42 | Sociale

Sezoni turistik tashmë ka filluar në qytetin e UNESCO-s, Gjirokastër. Në qytet dhe veçanërisht në zonën historike, nuk është e vështirë të konstatosh grupet e turistëve.

Por tashmë që Gjirokastra është e njohur edhe për të huaj, rrezikon të dëmtojë turizmin e qëndrueshëm për disa faktorë, një prej të cilëve dhe më kryesori informaliteti.

“Është e vërtetë e shtuar kjo si problematikë, jo për faktin pse janë hapur, sepse është gjë shumë e mirë që të hapen dhe kjo mundësi të jetë për të gjithë, por mospagesa e tyre ka penalizuar bizneset që paguajnë, pasi është pa diskutim cenuese dhe ofenduese, sepse janë bërë një raport 1 me 5. Ata që s’paguajnë janë shumë më shumë. Nga ana tjetër mendoj që është edhe një prishje e cilësisë së shërbimit, pasi nga momenti kur nuk paguan asgjë në shtet, ti mban çmime shumë të ulëta dhe jep një shërbim që mund të cenoje cilësinë dhe namin e marrin të gjithë, jo vetëm ata”, tha për A2 CNN, Gentian Bineri nga shoqata e hotelerisë, Gjirokastër

Mungesa e sinjalistikës në qytet dhe bllokimet e pakuptimta të rrugëve, sipas kreut të shoqatës së hotelerisë në Gjirokastër rrezikon gjithashtu që ti bëjë të pakënaqur turistët.

“Nuk mendoj se është diçka e mirë kjo për turistët që lodhen si nga gjetja e rrugëve, si nga sinjalistika e munguar, si nga problematikat e tjera, duke filluar nga zhurmat si dhe bllokimi i rrugëve të pazarit. Askush nuk e kupton dhe secili shikon interesin e tij, por janë institucionet ato që duhet të zbatojnë ligjin.”

Nevoja e personelit dhe në mënyrë të veçantë atij të kualifikuar të shërbimeve në hotele dhe bujtina shikohet si një tjetër sfidë, që duhet të përballohet nga njësitë e shërbimit në Gjirokastër, e cila ka një sezon që shkon më shumë se 7 muaj në vit.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos