Asnjë masë nga Qeveria, nga jugu në veri qytetarët të dorëzuar nga rritja e çmimeve

Nga Gazmend Janku
26 Mars 2026, 14:33 | Sociale

Rritja e çmimeve të karburanteve që ka prekur vendin tonë prej më shumë se tri javësh dhe në kushtet kur qeveria nuk ka marrë ende asnjë masë konkrete për të zbutur këtë shtrenjtim ka dhënë efektet e veta edhe në rritjen e produkteve ushqimore dhe ato të fruta perimeve.

A2 ka vëzhguar dhe pyetur konsumatorë dhe tregtarë në tregjet e fruta-perimeve në Kukës dhe Vlorë ku rritja e çmimeve është e ndjeshme dhe e papërballueshme. Në Kukës konsumatorët shprehen se nuk ka ku të shkojë më keq.

“Të vijë kush të dojë, shihe tregun. Nuk kanë takat Kukësi, një ndër qarqet më të varfra. Këtu nëse duhet të vërë dorë shteti, t'i kompensojë ose t'i lehtësojë”, thotë një qytetar. “Askush nuk interesohet, as nuk duan t’ia dinë se ka njerëz hallexhinj. Me një pension 90 000 lekë”, thotë një tjetër.  

Edhe në Vlorë paraqitet e njëjta situatë, me çmime të rritura ndjeshëm dhe me pafuqinë ekonomike të konsumatorëve që nuk mund të blejnë qoftë edhe gjërat më elementare. “Ku del llogaria? Çfarë do marrim më përpara? Ilaçe? Ja një sallatë mora e dy banane nuk kam lekë më të marr”, thotë një e moshuar për A2. “Çmimet janë të shtrenjta siç i shikoni dhe vetë. Duhet të kontrollojë shteti për këto punë”, thotë një tjetër.

Në fakt rritja e çmimeve të karburanteve duket se ka prekur edhe sektorë të tjerë, por te produktet ushqimore është më e ndjeshme dhe problematike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos