Plazhet publike të Darzezës dhe Semanit në Fier, të vetmin investim nga strukturat lokale kanë përpilimin e shkresave për sipërfaqen e plazhit që do të jetë publik. Pasi në terren nuk është vënë dorë as për kushtet më minimale për një plazh publik, që nga elementët e sigurisë e deri tek pastërtia apo infrastruktura.
Në det nuk ka asnjë kufizim se deri ku lejohet notimi, ndërsa në rërë shikon që nga mbeturinat e grumbulluara dhe të pahequra e deri tek rrënojat e ndonjë ndërtimi pa leje që ka parë dorën e shtetit për ta prishur dhe për ta lënë atje gërmadhë.
Ato pak pushues që vijnë atje sa nga nostalgjia aq edhe pamundësia për të pushuar në plazhet private, shprehin mungesën e kushteve.
Në këto plazhe problem shqetësues mbeten edhe mushkonjat, të cilat janë më të rralla vetëm kur në plazh fryn erë. (A2 Televizion)